Njoftim për Media
Konferenca Kombëtare për Turizmin “Adriatik 2026”: fokus te siguria, standardet dhe bashkëpunimi ndërinstitucional
Në kuadër të forcimit të standardeve dhe sigurisë në sektorin turistik, u zhvillua Konferenca Kombëtare për Turizmin “Adriatik 2026”, një forum i rëndësishëm që mblodhi përfaqësues të institucioneve kryesore përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe zhvillimin e turizmit në vend.
Gjatë konferencës u theksua se rritja e turizmit në Shqipëri shoqërohet me përgjegjësi të shtuara për institucionet, të cilat duhet të garantojnë shërbime cilësore, siguri për qytetarët dhe vizitorët, si dhe respektim të standardeve ligjore dhe mjedisore.
Vëmendje e veçantë iu kushtua:
•sigurisë ushqimore dhe shëndetit publik
•mbrojtjes së mjedisit dhe territorit
•mbikëqyrjes së tregut
•respektimit të të drejtave të punëmarrësve
•luftës kundër informalitetit
U theksua nevoja për një qasje moderne të inspektimit, të bazuar në analizën e riskut, parandalimin dhe koordinimin ndërinstitucional.
Pjesëmarrësit nënvizuan se bashkëpunimi, shkëmbimi i informacionit dhe digjitalizimi janë faktorë kyç për rritjen e efikasitetit dhe transparencës së institucioneve.
Në kuadër të procesit të integrimit evropian, u ritheksua rëndësia e zbatimit në praktikë të standardeve të Bashkimit Evropian, në funksion të ndërtimit të një sektori turistik të qëndrueshëm dhe konkurrues.
Konferenca përmbylli punimet me mesazhin se një turizëm i sigurt dhe cilësor ndërtohet përmes bashkëpunimit të të gjitha institucioneve dhe aktorëve të përfshirë.



