Politologu Ermal Hasimja thotë se kryeministri Edi Rama nuk do t’i rezistojë gjatë presionit të qytetarëve që vijojnë prej ditësh tashmë protestën kundër qeverisë së tij.
Në një intervistë për News24, ai theksoi se protesta e mijërave qytetarëve që kanë mbushur sheshin do të rritet. Sipas tij, protesta mori një dimension edhe më të madh edhe nga fakti se shumë emigrantë shqiptarë u ngritën në shumë qytete evropiane ku jetojnë.
Duke komentuar thirrjen e Ramës për dialog me protestesit, thirrje e cila u refuzua, ai theksoi se kryeministri nuk mund t’i manipulojë dhe t’i bindë ata që janë dalë në shesh kundër tij.
“Fakti që Rama ka kaluar në një moment në shprehjet e showman tregon se nuk është i qetë në rolin e tij si kryeministër. Nga ana tjetër ideja që ka Rama për dialogun hajde të ulemi dhe t’ju bind. Por ata njerëz në shesh nuk kanë nevojë të binden se i kanë të qarta argumentet. Plus nuk janë aty vetëm për flamingot, por për 100 arsye të tjera pavarësisht se arsyeja kryesore ishte çështja e mjedisit. Këta njerëz nuk ka se si t’i bindë Rama, pavarësisht talentit që mund të ketë ai.
Rama ka një perceptim të gabuar në vetvete. Liderët kur shkojnë në një mjedis të mbushur me njerëz që e votojnë, shikon duartrokitjet, adhurimin dhe të krijohet iluzioni se të gjithë qytetarët janë dakord me ty. Është iluzion i rrezikshëm. Është në këtë iluzion dhe kur nuk futet në rolin e duartrokitësit e shikon si objekt talljeje dhe si armik. Problem lidershipi. Kryeministri mund të konsultohej me organizatat në protestë që e kanë ngritur zërin përpara. Edhe kur bëri ndryshimet ligjore.”, u shpreh ai.
Ai po ashtu komentoi edhe mundësitë e krijimit të një partie të re politike nga kjo lëvizje e qytetarëve.
“Më duket vështirë të kjo protestë të mblidhet me një parti të re, apo lëvizje. Por më duket ndoshta edhe e padobishme se njerëzit që janë aty janë nga drejtime të ndryshme ideologjike, të majtë, të djathtë. Dhe kur krijohet diçka që përpiqet të ngurtësojë identitetet dhe kërkesat e tyre rrezikon që të ftojë pjesën tjetër që nuk do ta gjejë veten aty. Shpresoj që të mbetet një protestë e hapur që kushdo të protestoje për qëllime të përbashkëta pa pasur nevojë të identifikohet me dy apo tre individë.
Një është një lëvizje mbi bazën e kërkesave që ekzistojnë aty dhe një gjë tjetër është një çështje partie politike. Një parti politike duhet të dalë edhe të propozojë zgjidhje. Dhe në këtë moment, nëse del një parti e tillë, supozojmë majtas, çfarë do të ndodhë me ata që janë në shesh të djathtë. Kurse lëvizja mund të mbrojë kauza specifike të njerëzve që janë aty. Mendimi im është që mënyra më e mirë për ta ruajtur fuqinë bashkuese të kësaj proteste është spontaniteti dhe jo ngurtësimi i identifikimit.”, shtoi ai.



