Pronari i kompanisë “Eurocol”, Pandeli Carapuli, është paraqitur këtë të premte në SPAK, ku është pyetur në lidhje me hetimin për vilën e sekuestruar në Dhërmi që, sipas Prokurorisë së Posaçme, dyshohet se ka shërbyer si ryshfet për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Biznesmeni u largua nga ambientet e SPAK i shoqëruar nga avokati i tij, pa bërë komente për mediat.
Sipas hetimeve, vila e sekuestruar ndodhet në resortin “White Rocks” në Gjilekë të Dhërmiut dhe rezultonte në emër të Igli Tares, por dyshohet se përdorej nga Belinda Balluku. Prokuroria pretendon se pasuria është përfituar në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” në një procedurë prokurimi të zhvilluar nga Albcontrol, në kohën kur institucioni drejtohej nga Balluku.
SPAK thotë se nga hetimet ka rezultuar se Balluku, në cilësinë e drejtoreshës së përgjithshme të Albcontrol, ka favorizuar kompaninë “Eurocol” në tenderin për rikonstruksionin e godinës teknologjike të institucionit, me vlerë rreth 88.6 milionë lekë, si dhe në një shtesë kontrate prej 14.1 milionë lekësh.
Sipas akuzës, në këmbim të këtij favorizimi, Balluku ka përfituar një vilë me vlerë 145 mijë euro në resortin “White Rocks”, e ndërtuar nga kompania “Eurocol”. Prokuroria pretendon gjithashtu se për të fshehur pronësinë reale të pasurisë janë përdorur kontrata fiktive, fillimisht përmes një kontrate porosie të lidhur në vitin 2018 mes Pandeli Carapulit dhe shtetasit I.T., dhe më pas përmes një kontrate qiraje dhe amendamenteve të saj.
Përveç akuzës ekzistuese për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, SPAK ka bërë me dije se hetimet kanë nxjerrë dyshime të reja ndaj Belinda Ballukut edhe për veprat penale të “korrupsionit pasiv” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Në kuadër të këtij hetimi, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro preventive mbi vilën në Dhërmi, ndërsa SPAK ka deklaruar se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të skemës së dyshuar.



