Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të hapë procedurën e hetimit paraprak në tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të cigareve në Shqipëri, pas një procesi monitorimi dhe analize të zhvillimeve në këtë sektor gjatë viteve të fundit. Ky hetim do të shtrihet në katër vite duke nisur nga 2022.
Sipas vendimit të Komisionit të Konkurrencës, analiza paraprake ka evidentuar një nivel të lartë përqendrimi të tregut, ku një ndërmarrje zotëron pjesë dominuese në segmentin e cigareve tradicionale dhe produkteve alternative të duhanit, ndërsa struktura rregullatore dhe fiskale e tregut paraqet barriera të konsiderueshme për hyrjen e operatorëve të rinj.
Institucioni vlerëson se mekanizmat e përcaktimit të çmimeve maksimale të shitjes me pakicë, të kombinuara me regjimin e akcizës dhe rregullimet e tjera ligjore, mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si zhvillohet konkurrenca në këtë treg. Për këtë arsye, do të kryhet një verifikim i detajuar i strukturës së tregut dhe sjelljes së operatorëve ekonomikë.
Hetimi paraprak do të mbulojë periudhën nga 1 janari 2022 deri më 27 mars 2026 dhe synon të vlerësojë nëse ekzistojnë elemente që mund të përbëjnë shkelje të dispozitave të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Raporti përfundimtar i hetimit pritet t’i paraqitet Komisionit të Konkurrencës brenda dy muajve nga marrja e vendimit.



