Pas debateve të pafundme për “70 gjini”, draftligje kundër “propagandës gjinore”, referendume imagjinare dhe ekspertë Facebooku me diplomë nga komentet e TikTokut, Shqipëria më në fund vendosi të ndjekë modelin iranian: jo për energjinë bërthamore, ekonominë apo disiplinën shtetërore, por për ndryshimin e seksit. Në realitet, Shqipëria nuk ka ende një ligj të plotë dhe të qartë për njohjen ligjore të ndryshimit të gjinisë, megjithëse mbrojtja ndaj diskriminimit për identitetin gjinor ekziston në legjislacion. Por kjo nuk e pengoi opinionin publik shqiptar të sillet sikur nesër në Gjendjen Civile do ketë sportel “ndrysho gjininë dhe merr numër radhe”. Në një vend ku akoma s’mbyllen legalizimet e viteve ’90, qytetari tani informohet se rreziku kombëtar është se mos Mozi, kushuriri me te cilin je ne gjyq për pronat e gjyshit, zgjohet të hënën si Moza.
Ndërkohë politika shqiptare, me seriozitetin karakteristik të një emisioni mëngjesi, vazhdon të trajtojë debatin gjinor si çështje ekzistenciale kombëtare, sikur problemi kryesor i vendit nuk janë pagat, emigracioni dhe korrupsioni, por frika se mos një ditë pasaporta shqiptare del me opsionin “tjetër”.
Siç ka thënë dikush para nesh: O Bashkim, po na hanë qentë, nuk po na q…



