Një plagosje me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e së hënës në Tiranë, ku i plagosur ka mbetur 34-vjeçari Juxhin Hamajezi.Burime bëjnë me dije se Hamajezi ndodhej në lokalin e tij, në shoqërinë e disa personave të tjerë, aty ku dyshohet se ka ndodhur edhe konflikti që përfundoi me plagosjen e tij.
Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 23:55, Hamajezi është paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pasi ishte plagosur në këmbë, dyshohet me armë zjarri. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se plagosja ka ndodhur në rrugën “Aleksandër Moisiu”, gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta.
Vetë 34-vjeçari ka deklaruar para hetuesve se konflikti ka qenë i çastit, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Juxhin Hamajezi rezulton një person me precedentë të mëparshëm penalë. Në vitin 2018 ai i shpëtoi një atentati me armë zjarri në zonën e Kinostudios në Tiranë.
Ai mbeti i plagosur bashkë me të vëllanë Rivelino Hamajezi. Për këtë ngjarje u hetua në dy pista, atë të prishjes së pazareve të drogës dhe një plagosje te mëparshme që mund të ketë kryer ky i fundit. Ngjarja ndodhi në 27 qershorit të vitit 2018, ku i dyshuar si autor ka qenë ish-efektivi i policisë Santiago Malko (i ekzekutuar).



