nga Indrit Vokshi
Do të pyesë dikush, po si? Skeni fuqi, sdo e keni Ministrinë e Brendshme. E para, votës nuk i dihet, mund të marrim 1500 vota por mund edhe 150,000. Gjithsesi unë po tregoj qëndrim, jo statistikën. Si qëndrim është e pafalshme që polici i shtetit të ketë frikë halabakun me makinë luks, e të thotë mos ta prekim, se pale kush është, na heqin nga puna. Si mundet uniforma e shtetit të njohë diçka më lart se veten? Diku është polici hallexhi, diku shpërndan drogë vetë se i pëlqen shoqëria “me t’fortë”. Po a mund të ketë më të fortë se vetë shteti? Për dinjitet individual sduhet njohur askush për i fortë. Këtu ska nevojë as për juntë, sepse i kap thupër thane, mjafton vullneti njerëzor e politik. Financoje policinë, transformoje, paguaju programe shkollimi, jepju kartë shendetësore për familjen, paguaju bursa për fëmijët, garantoju mbrojtje. Pastaj i ke dalë borxhit vetë policit; nëse dikush edhe pas këtij trajtimi e ka mendjen të marrë para apo të flirtojë me krimin, çoje në burg, sepse i bie është qejfli krimi, nuk e ka prej hallit. Jemi për pak privilegj të Policisë, Forcës së Armatosur dhe Shërbimit. Për dinjitet personal dhe për sigurinë e vendit. Psikologjikisht, emocionalisht, moralisht, smundemi ta pranojmë që të sundojë banditizmi. Ska asnje arsye pse Shqipëria të bëhet fushë e lirë për halabakërinë dhe banditizmin të cilët ua vështirësojnë jetën njerëzve, shkaktojnë nervozizëm e pasiguri dhe i detyrojnë njerëzit të largohen prej shtëpive të tyre; ose të ikin nga provincat në Tiranë, ose nga Tirana jashtë shtetit.



