Një njoftim i beftë i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit ka zbuluar skandalin, duke konfirmuar se 2 godinat e Marinës janë fundosur, njëra 28 centimetra dhe tjetra 18 centimetra. Por, zhytja mund të vijojë, duke qenë se projekti po vijon dhe mijëra kamionë dhe inerte janë zhvendosur në territorin që dikur ka qenë Porti i Durrësit, më i madhi në Shqipëri, por që tashmë është katandisur me një cep, në pritje të zhvendosjes në Porto Romano.
Subjekti zhvillues është “Marina e Durrësit”, një shoqëri aksionere, që kohët e fundit ka rritur edhe kapitalin me plot 6 milionë euro, sipas një transferte të bërë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, në drejtim të llogarisë së kompanisë.
Firma zhvilluese ka lidhur disa kontrata me firma vëndase për kryerjen e punimeve për ndërtimin e godinave. Mësohet se, dy firma po punojnë më së shumti në atë zonë, “Elmazaj” dhe “Salillari”. Kompania e parë, “Elmazaj Konstruksion” ka kryer punimet në dy godinat e Marinës që janë fundosur, teksa dy pronarët e saj, Shkëlqim dhe Mirel Elmazaj, ndërtues të njohur.
Media raportojnë se, nga dokumentet e tjera nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, ku rezulton se 2 godinat janë projektuar nga firma X Plan Studio, një kompani e themeluar në vitin 2010, me pronare Ornela Muçajn, nga Fieri. Kjo kompani merret me projektimin dhe zbatimin e punimeve të ndërtimit, rikonstruksionin, mbikëqyrjen apo kolaudimin e punimeve.





