Banorët e prekur nga projekti TID protestojnë para Bashkisë së Durrësit! Akuza AADF

spot_img
Advertisements

Dhjetëra banorë në Durrës, të cilët preken nga projekti TID, janë mbledhur këtë të martë para ambienteve të Bashkisë së Durrësit për të kërkuar transparencë dhe një takim me kryebashkiaken Emirjana Sako.

Banorët shprehen kundër prishjes së banesave të tyre dhe pretendojnë se institucionet lokale po veprojnë pa konsultim dhe pa informim të qartë mbi projektin urbanistik.

Sipas përfaqësuesve të grupit, një kërkesë zyrtare për informacion është firmosur nga 20 familje, ndërsa ata paralajmërojnë se do të vijojnë kundërshtimin ndaj projektit dhe çdo procedure që lidhet me shpronësimin apo shembjen e banesave.

“Është më e thjeshtë të takosh përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare sesa kryebashkiaken Sako”, u shprehën banorët gjatë protestës.

Përfaqësuesja e grupit deklaroi për mediat se Bashkia po ndërmerr hapa të rinj pa transparencë dhe pa konsultim publik, ndërsa bëri me dije se çështja ndodhet edhe në proces gjyqësor për shfuqizimin e VKM-së dhe projektit TID.

Banorët pretendojnë se nuk janë dakord as me shpronësimin dhe as me kompensimin financiar, duke insistuar në ruajtjen e banesave dhe objekteve ekzistuese.

Një tjetër banore akuzoi institucionet se projekti po dëmton identitetin historik të qytetit, duke përmendur edhe shqetësimet për ndërhyrje pranë objekteve të vjetra dhe zonave me vlera kulturore.

Ndërkohë, një banor tjetër deklaroi se grupi ka arritur të komunikojë me institucione ndërkombëtare dhe me OLAF, por jo me drejtuesit e Bashkisë së Durrësit.

Banorët paralajmëruan se protestat dhe kërkesat për informacion do të vijojnë deri në marrjen e një përgjigjeje zyrtare nga autoritetet vendore.

spot_img

Latest articles

Related articles