Nga ekrani televiziv direkt te kullat shumëkatëshe. Kjo është historia e fundit që po komentohet në Vlorë dhe jo vetëm. Donald Veshaj, i njohur prej vitesh si personazh televiziv, tashmë rezulton i përfshirë në një projekt gjigant ndërtimi në një nga zonat më të shtrenjta të bregdetit shqiptar. Pak muaj pasi iu fut botës së biznesit, emri i tij lindi në dokumentet e kompanisë “DGC” SHPK e krijuar në mars 2024 bashkë me Glenis Çobon. Sipas të dhënave në “Open Corporates” të dy zotërojnë nga 50 përqind të aksioneve, ndërsa kompania ka si qëllim ndërtimet dhe investimet në pasuri të paluajtshme, me një kapital prej 1 milionë lekësh.
Por, ajo që ka ngritur pikëpyetje nuk është thjesht hyrja e një figure televizive në biznes. Bëhet fjalë për një projekt gjigant, një kullë me 33 kate mbi tokë dhe 4 kate nën tokë, në zemër të Vlorës. Natyrisht që një financim i tillë kërkon miliona euro dhe pyetja që bën opinioni publik është: nga buron ky kapital?
Donald Veshaj, një emër i njohur i ekranit, ndërsa ortaku tjetër, Glenis Çobo, aspak i njohur për opinionin publik duan të ndërtojnë kullë gjigante në mes të Vlorës. E pikërisht prapaskenat, sikurse raportohen, lidhen me ortakun e Veshajt. JOQ raporton se Glenis Çobo rezulton të jetë dhëndri i biznesmenit dhe deputetit socialist të Vlorës, Vullnet Sinaj, njëkohësisht edhe pronar i rrjeteve “Big Market” në të gjithë Shqipërinë.



