Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, reagoi pas protestës së opozitës në Tiranë dhe akuzoi qeverinë e Edi Rama për dhunë ndaj protestuesve duke dënuar ashpër, sipas tij, sulmin e policisë ndaj liderit të opozitës, Sali Berisha. Ai theksoi se protesta dëshmoi vendosmërinë e qytetarëve për ndryshim dhe se “populli është i pamposhtur”.
“Falenderim të përzemërt për mijëra qytetarë nga mbarë vendi që protestuan me kurajë dhe u përballën në Tiranë me Narkoregjimin e Edi Ramës, që me narkopolicët dhe banditët me uniformë, ushtruan dhunën më të egër ndaj shqiptarëve të lirë.
Marshimi paqësor dëshmoi me zërin më të fortë edhe njëherë sot se populli është sovrani i vetëm dhe i padiskutueshëm dhe as dhuna kafshërore, as banditizmi i narkopolicëve nuk e ndalin dot kurrë Ndryshimin.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe sulmin e banditëve me uniformë ndaj liderit të Partisë Demokratike dhe opozitës, Prof. Dr. Sali Berisha dhe që dëshmon qartë panikun shumë të thellë ku është zhytur Edi Rama. Liria do të triumfojë shumë shpejt sepse populli është i pamposhtur dhe më i vendosur se asnjëherë” tha ai.



