Endri Meksi: Më kanë bërë shantazh e kërcënime, intriga e tritol

spot_img
Advertisements

Një shpërthim me tritol në një dyqan të lidhur me MCN TV ka ngritur shqetësime mbi sigurinë dhe klimën e kërcënimeve ndaj biznesit. Lidhur me ngjarjen, pronari i televizionit, Endri Meksi, ka dhënë një deklaratë të shkurtër, duke theksuar se nuk ka dijeni mbi autorët apo motivet e sulmit.

Meksi bëri të ditur se është marrë në pyetje nga autoritetet menjëherë pas ngjarjes, por nuk ka pasur komunikime të tjera me policinë apo prokurorinë.

Jam pyetur të dielën nga Komisariatin nr. 4 lidhur me ngjarjen dhe kam dhënë një deklaratë të shkurtër, për aq sa mund ta lidh me ngjarjet e mëparshme, pa bërë spekulime. Nuk kam pasur komunikime të tjera me policinë dhe prokurorinë për këtë çështje. Lidhur me tritolin, unë nuk kam asnjë ide.

Pronari i MCN TV theksoi se më herët ka bërë denoncime për shantazh dhe kërcënime, duke ngritur dyshime se ngjarja mund të lidhet me këto episode, megjithëse nuk dha detaje konkrete.

Unë jam në këtë histori për atë që kam denoncuar më parë për shantazh dhe kërcënim. Nuk ka logjikë që t’ia bëj vetes këtë. Hetimet i kam lënë në dorë të policisë dhe prokurorisë.

Ai shtoi se aktualisht po përpiqet të qëndrojë larg kësaj çështjeje, ku me nota humori tha se këto ditë është vendosur në rolin e tij si gazetar dhe analist, ndërsa për aspektin e biznesit deklaroi se po e ndjek në mënyrë të rregullt.

Meksi ngriti gjithashtu shqetësimin për ekzistencën e strukturave të sofistikuara kriminale, duke theksuar se nuk disponon mjete apo struktura të tilla dhe duke kërkuar që institucionet të hedhin dritë mbi rastin.

Sipas tij, ekziston mundësia që ngjarja të jetë pjesë e një skeme të përsëritur mashtrimi, ndërsa paralajmëroi se raste të tilla shpesh mbeten pa autorë.

Ngjarje si ajo e të dielës shpesh mbyllen pa u zbuluar asgjë dhe unë nuk dua të përfshihem në një vorbull të re mashtrimi dhe intrigash,” përfundoi ai.

Ndërkohë, autoritetet nuk kanë dhënë ende një version zyrtar për motivet apo autorët e shpërthimit, ndërsa hetimet vijojnë.

spot_img

Latest articles

Related articles