Donald Trump ka ashpërsuar tonet ndaj Papa Luani XIV, duke deklaruar se qëndrimet e tij “po rrezikojnë shumë katolikë dhe njerëz të tjerë”, ndërsa e akuzoi se është në një linjë që toleron ambiciet bërthamore të Irani.
Në një intervistë për “Salem News Channel”, Trump u shpreh se Papa “është plotësisht dakord që Irani të ketë armë bërthamore”, duke e thelluar përplasjen me Selinë e Shenjtë.
Deklaratat vijnë vetëm pak orë para vizitës së Marco Rubio në Vatikan, një lëvizje që synon të zbusë tensionet mes Uashingtonit dhe Kishës Katolike pas debateve të fundit.
Nga ana tjetër, reagimi i Vatikanit ka qenë i përmbajtur. Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, Pietro Parolin, theksoi se Papa do të vijojë misionin e tij pa u ndikuar nga kritikat.
“Papa vazhdon në rrugën e tij, në predikimin e Ungjillit dhe të paqes, në çdo rrethanë”, u shpreh Parolin, duke shtuar se nuk është e sigurt nëse Ati i Shenjtë do t’i përgjigjet drejtpërdrejt deklaratave të Trump.
Në mbështetje të Papës doli edhe zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini, i cili theksoi se figura e tij duhet respektuar.
“Papa nuk duhet të diskutohet, ai duhet të dëgjohet”, deklaroi Salvini.
Përplasja e fundit sinjalizon një tension të ri mes politikës amerikane dhe Vatikanit, në një moment delikat për zhvillimet ndërkombëtare.



