Në ceremoninë e inaugurimit të Muzeut Arkeologjik të Durrësit, nuk munguan as momentet e tensionit.
Kryeministri Edi Rama u shfaq i bezdisur nga ministri Blendi Gonxhja, i cili ndërhynte vazhdimisht gjatë fjalës së tij, në prani të ambasadorit të BE-së Silvio Gonzato dhe përfaqësuesve të tjerë europianë.
Rama i është drejtuar Gonxhes me tone të drejtpërdrejta: “Lëre të flasë se më shkatërrove”, duke i kërkuar të mos ndërhynte dhe të linte zyrtarët e Bashkimit Europian të shpreheshin.
Ngjarja ndodhi gjatë inaugurimit të muzeut, i cili rihap dyert pas një periudhe të gjatë rikonstruksioni pas dëmtimeve nga tërmeti i vitit 2019. Objekti tashmë pritet të mirëpresë vizitorë vendas dhe të huaj, duke sjellë një pasqyrë të rëndësishme të historisë dhe civilizimit të lashtë të qytetit bregdetar.
Në këtë rihapje, muzeut i shtohet edhe mozaiku i njohur Bukuroshja e Durrësit, i cili rikthehet në vendin e tij origjinal pas shumë vitesh.



