Porti i Durrësit është një çështje kombëtare – ANALIZA

spot_img
Advertisements

nga Enri Çeno

Porti i Durrësit sot nuk është më thjesht një projekt zhvillimi apo një debat ekonomik – është një çështje e drejtpërdrejtë e sigurisë kombëtare.

Diskutimi mbi të ardhmen e tij nuk lidhet vetëm me investime apo transformime urbane, por me vetë rolin që Shqipëria do të ketë në rajon. Rreziku që vendi të mbetet pa një nyje të rëndësishme portuale është real, nëse vendimet merren pa një vizion të qartë strategjik dhe afatgjatë.

Ky nuk është një projekt për një qytet, për një qeveri apo për një mandat. Është një projekt për të gjithë shqiptarët dhe për të ardhmen e vendit në dekadat që vijnë. Ajo që vendoset sot, në thelb projekton Shqipërinë e 100 viteve të ardhshme.

Siç kam theksuar edhe më parë, mënyra se si po trajtohet kjo çështje ngre shqetësime serioze. Nuk bëhet fjalë vetëm për një projekt apo një zhvendosje funksionesh, por për një ndryshim që prek drejtpërdrejt interesat kombëtare dhe balancat në Adriatik.

Në konceptin fillestar, projekti nuk ishte thjesht zhvendosje e portit, por zgjerim dhe forcim i tij, i lidhur ngushtë me infrastrukturën hekurudhore – sepse një port pa hekurudhë nuk ka peshën e duhur strategjike. Ky vizion parashikonte ndërlidhjen me Kosovën përmes një porti të thatë në Fushë Kosovë, më pas me Nishin dhe më tej me korridoret ndërkombëtare.

Në atë periudhë, kam qenë i përfshirë drejtpërdrejt në këtë projekt së bashku me një grup ekspertësh dhe inxhinierësh, shqiptarë dhe të huaj. Paralelisht, kemi zhvilluar një proces lobimi në Uashington, duke kontaktuar drejtpërdrejt me të dërguarin special të Presidentit amerikan për Ballkanin dhe me zyrtarë të sigurisë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Qasja ishte e qartë: të sinkronizonim interesin tonë kombëtar me interesin strategjik të Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Analizat e kohës tregonin se një kontejner që kalon nga Durrësi drejt Europës Lindore mund të jetë rreth 20% më i lirë se alternativat përmes Roterdamit apo Hamburgut. Pra, tregu ekziston – dhe potenciali është real.

Ky projekt strategjik ka edhe një dimension të fortë gjeopolitik. Ai konkurron në mënyrë të drejtpërdrejtë projektet kineze në portet e Athinës, Selanikut dhe në portet e tjera të Adriatikut. Pikërisht për këtë arsye, ai ka marrë edhe mbështetjen e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat e shohin si një element kyç në garën për ndikim dhe stabilitet në rajon.

Sot jemi në një moment kritik. Nuk mjafton më vetëm analiza apo debati – kërkohet veprim konkret.

Zgjidhja kalon përmes përfshirjes së kapitalit strategjik. Kur flasim për kapital strategjik, flasim për aktorë të mëdhenj ndërkombëtarë – korporata amerikane apo europiane me peshë reale politike dhe ekonomike, si BlackRock dhe të ngjashme – të cilat përmes ndikimit të tyre mund të garantojnë jo vetëm investim, por edhe mbrojtje të interesit kombëtar dhe një orientim të qartë gjeopolitik.

Në këtë kontekst, çdo vendim për Portin e Durrësit duhet të merret me përgjegjësi të plotë, transparencë dhe vizion shtetëror. Sepse në fund, kjo nuk është më thjesht një çështje zhvillimi – është një çështje kombëtare.

spot_img

Latest articles

Related articles