Trump, i ngjan Berluskonit apo Reganit ?

spot_img
Advertisements

Enver Robelli

Dikur bota (sidomos ajo amerikane) priste me ditë të tëra një fjalim të presidentit Ronald Reagan. Ai ishte aktor dhe kishte talent të madh në rrëfimin e anekdotave, kryesisht për Bashkimin Sovjetik dhe parajsën komuniste. Sot bota s’duhet të presë fare. Gjatë ditës, Donald Trumpi lajmërohet disa herë. Edhe ky është president i SHBA-së, plus pronar i platformës Truth Social. Aty mund të mësohet se si është disponimi i shefit të Shtëpisë së Bardhë.
Këto ditë s’ka qenë në disponim aq të mirë. Së pari, puna me Iranin, të cilin deshi ta fshijë nga faqja e dheut, pastaj s’e fshiu nga faqja e dheut. Mandej, ka njerëz që e ngacmojnë presidentin, ia acarojnë nervat dhe presidenti nuk përton t’ua kthejë me tarifën e njëjtë. “Janë njerëz budallenj”, shkroi Donald Trump për ish-moderatorët e Fox News, Tucker Carlson dhe Megyn Kelly, si dhe konspiracionistët Candace Owens dhe Alex Jones. Edhe familjet e tyre “dhe të gjithë të tjerët”, sipas Trumpit, e dinë se ata janë “budallenj”. Nëse është ashtu, shtrohet pyetja serioze: a ishin të mençur kur e sollën në pushtet Donald T.?
Presidenti nuk u bën vetëm diagnozën kritikëve të tij, ai edhe i këshillon. Carlson duhet të shkojë te psikologu, Kelly njihet për “pyetjet e saj të liga”, Owens është e çmendur dhe Jones thotë “disa nga gjërat më budallaqe që ekzistojnë”. Këshilla nga ordinanca e dr. Trump.
Presidentit nuk i mungon vetëbesimi. Ai është i bindur se në çdo çast mund t’i bëjë për vete ata që i përbuz, por s’ka kohë, “sepse jam shumë i zënë me çështjet e botës dhe të vendit tonë”, andaj nuk do t’u përgjigjej në telefon nëse ata do ta kërkonin. Owens, një ngucakeqe e patrembur, shkroi se “ndoshta është koha ta dërgojmë gjyshin në azil”. S’e pati fjalën për gjyshin e saj.
Festivali i sharjeve nuk ka fund në botën e Trumpit. Robert De Niro, sipas D. T., është një njeri me mendje “të turbullt”, Bruce Springsteen njëfarë “kumbulle e tharë” (në sllengun e Kosovës: spirran), Taylor Swift “jo më tërheqëse”, Jimmy Kimmel “i keq për vendin”. E George Clooney? Pa talent, duhet të kthehet në televizion. Thotë i talentuari Donald Trump.
Javëve të fundit e ka vënë në shënjestër zëvendësin e tij, J. D. Vance. U shfaqën në universin virtual pamje nga një drekë private pak para Pashkëve. “A është J. D. këtu?”, pyeti presidenti. Kur e pa, tha: “Nuk peshon më aq shumë, është dobësuar pak”. Në sallë shpërthyen të qeshura. Donald Trump e ka edhe një talent: pasi pyet tjetrin diçka, nuk pret përgjigje. Përgjigjet vetë. E pyeti J. D. Vance se si po shkojnë negociatat me Iranin dhe vazhdoi duke u përgjigjur: “Pra, nëse nuk funksionon, gjithë fajin ia hedh J. D.-së. Dhe nëse arrihet një marrëveshje, gjithë lavdinë e marr unë.” Haha! Pati thënë dikur zëvendëspresidenti i parë amerikan, John Adams: “Vendi im, në mençurinë e tij, ka shpikur për mua detyrën më të parëndësishme që ndonjëherë ka dalë nga imagjinata dhe dhuntia e njeriut”.
Së fundi, në një intervistë, filozofi gjerman Peter Sloterdijk e definoi kështu Donald Trumpin: “Çdo ditë që Donald Trump kalon në detyrë dëshmon se ai nuk është politikan, por një shoumen i ardhur rastësisht në pushtet nga televizioni i shtresave të ulëta. Ai është një produkt i epokës së televizionit, në të cilën argëtimi përbënte gjithë jetën. Brenda një kohe të shkurtër ai është bërë edhe një funksionar i tregjeve të kapitalit. Ashtu si Nietzsche, në polemikën e tij kundër Richard Wagner, kishte dhënë diagnozën se te ky njeri po jetësohej shfaqja e tipit të aktorit në art, ashtu mund të thuhej edhe për Trumpin – si pasardhësi tipologjik i Berlusconit – se ata mishëruan shfaqjen e aktorit në politikë”. Edhe Ronald Reagan ishte aktor. Serioz. Madje edhe kur tregonte anekdota.

spot_img

Latest articles

Related articles