Pas një hetimi 5-vjeçar, SPAK thotë se ka provuar se 7 anëtarë të komisionit të dhënies së koncesionit kanë favorizuar bashkimin e kompanive “Mabco Construction” të Behgjet Pacollit, “YDA Group” dhe “2A Group” të Valon Ademit, duke i kualifikuar dhe shpallur fitues të procedurës.
Hetimi nisi pas një kallëzimi nga kompania “AL-DE Corporation” Ltd përmes Aldi Çelit, e përjashtuar nga gara.
Sipas SPAK, konsorciumi fitues kishte probleme me dokumentacionin, përfshirë mungesë bilancesh, raporte auditimi dhe dokumente për përfituesit fundorë të aksioneve. Po ashtu, disa nga kompanitë nuk plotësonin kriteret teknike, si renovimi i pistave aeroportuale, ndërtimi i terminaleve dhe i kullës së trafikut ajror.
Megjithatë, komisioni i ka kualifikuar dhe shpallur fitues, në kundërshtim me rregullat e procedurës.
SPAK ka ngritur akuzën për “shkelje të barazisë në tendera” në bashkëpunim, ndërsa hetimet për zyrtarë të tjerë vijojnë.
Zhvillimi vjen në një kohë kur Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi ndodhen në përplasje të fortë mes tyre, me një seri padish civile dhe kallëzimesh penale kundër njëri-tjetrit.



