Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Wrong way”, duke goditur një rast të kontrabandës së mallrave, ndërsa është arrestuar një 26-vjeçar.
Në pranga ka rënë shtetasi R. K., banues në Korçë, i cili u kap në aksin rrugor “Elbasan–Tiranë”, teksa transportonte me një furgon 19 paketime (thasë) me veshje të dyshuara si të kontrabanduara, me një vlerë të përafërt prej 45 000 euro.
Gjatë kontrollit, uniformat blu konstatuan se mallrat, të cilat përfshinin imitacione të markave të ndryshme, nuk ishin të pajisura me dokumentacion shoqërues. Si provë materiale u sekuestruan si veshjet, ashtu edhe mjeti me të cilin ato transportoheshin.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në kuadër të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e kontrabandës, bazuar edhe në informacione të siguruara në rrugë operative.



