Ish-drejtoresha e përgjithshme e Kadastrës, Dallëndyshe Bici, është paraqitur dke në ambientet e Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku është marrë në pyetje për rreth dy orë në kuadër të një hetimi që lidhet me Ergys Agasi.
Bici është pyetur lidhur me procedurat e legalizimit dhe pajisjes me dokumentacion të rregullt hipotekor për një vilë në periferi të Tiranës, e cila më herët rezultonte pjesë e një kompleksi turistik, Equos Resort.
Sipas të njëjtave burime, dyshohet se përmes procedurave të ndjekura në kohën kur Bici drejtonte institucionin e Kadastrës, vila është shkëputur nga statusi i saj si pjesë e resortit dhe është kaluar në pronësi personale të Agasit. Dokumentacioni i administruar nga SPAK dyshohet se konfirmon këtë veprim.
Dyshohet se në emër të Agasit janë kaluar edhe prona të tjera brenda kompleksit Equos Resort.
Mes pronave që dyshohet se janë privatizuar ose kaluar në pronësi të tij po verifikohen edhe disa godina dyqanesh në hyrje të resortit, një fast food në hyrje të kompleksit, si dhe ambientet e dhomave të zhveshjes për të rritur pranë pishinës.
Po ashtu, sipas burimeve, rreth 50 mijë metra katrorë tokë dyshohet se janë legalizuar në emër të tij. Marrja në pyetje e ish-kreut të Kadastrës konsiderohet pjesë e një hetimi më të gjerë që lidhet me skandalin e Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Hetimet e SPAK pritet të përqendrohen në mënyrën se si është realizuar kalimi i këtyre pronave, procedurat e ndjekura për legalizimin dhe regjistrimin e tyre, si dhe rolin që mund të kenë pasur zyrtarë të ndryshëm në këtë proces.





