Operatori One Albania vazhdon me skandalin pas njoftimit të rritjes së tarifave për abonetët e saj me 2.2%. Njoftimi për këtë rritje nga One Albania është bërë në fund të muajit Mars dhe rritja pritet që të nis më 1 Maj, por kjo është thjesht një rritje e përfitimit të One në kurriz të qytetarëve pasi nuk vjen as me rritje të cilësisë së shërbimit dhe as shtesa në ofertat e tyre.
Rritja e çmimeve do të jetë deri në masën 2.2%, sipas normës së inflacionit mesatar vjetor të publikuar nga INSTAT për vitin 2025. Por e vërteta qëndron që çmimi i naftës apo i produkteve të tjera që janë rritur për shkak të luftës në Iran, nuk kanë asnjë lidhje me çmimin e frekuencave telefonike.
Reagimet e abonentëve
Qytetarët jo vetëm kundërshtojnë rritjen e tarifave, por rikthejnë në vëmendje edhe problemet e vazhdueshme me shërbimin telefonik të ONE. Ata ngrenë shqetësime për cilësinë e dobët të shërbimit, mungesën e mbulimit dhe shpejtësinë reale të internetit, ndërsa theksojnë se ankesat e tyre shpesh mbeten pa përgjigje.
Abonentët ankohen gjithashtu për ndërprerje të shpeshta të shërbimit dhe internet të ngadaltë. Një nga rastet më problematike ishte ai i tre javëve më parë, kur kompania pësoi një bllokadë totale, duke lënë përdoruesit pa shërbim për rreth 120 minuta.
‘Përgjigja’ e One Albania
Ndërkohë kompania mesa duket është kujdesur që të fshijë çdo koment negativ që abonentët kanë lënë në rrjetet sociale zyrtare të One.



