Nëse Irani na ‘pret’ internetin | ANALIZA nga Rildo Ngjela

spot_img
Advertisements

Rildo Ngjela

Kur nis një luftë, të gjithë drejtojmë sytë nga qielli. Kërkojmë mos shohim ndonjë raketë apo avion ushtarak. Zgjasim veshët për të dëgjuar ndonjë shpërthim. Por harrojmë që shpesh lufta nuk bëhet përmes asaj që ne mund të shohim. Ndonjëherë ajo fillon me atë që zhduket papritur: sinjali, aksesi, informacioni.
Një krizë globale mund të mos fillojë me një shpërthim. Mund të fillojë thjesht me një ekran që nuk përgjigjet. Jo vetëm ndërprerje të lidhjes me Instagram-in apo TikTok-un. Asnjë tingull. Asnjë paralajmërim. Vetëm heshtje. Aplikacioni i bankës nuk hapet. e-Albania nuk përgjigjet. Pagesat nuk kryhen. Fluturimet ndalojnë. Brenda pak orësh, ajo që dukej si një luftë e largët, të “prek në shpatull” dhe thotë “ja ku jam”.
Kjo është arsyeja pse nuk duhet të shqetësohemi kaq shumë se çfarë SHBA mund të shkatërrojë brenda Iranit. Shqetësimi më i madh është se çfarë mund të shkatërrojë Irani jashtë kufijve të vet, kur ta kuptojë që këtë luftë e ka të humbur. Sipas Reuters, Donald Trump ka kërcënuar se do të godasë Iranin “jashtëzakonisht fort”, duke shkatërruar infrastrukturën civile si termocentralet, hekurudhat, urat, etj. dhe çuar konfliktin në një nivel të ri përshkallëzimi.
Nëse Shtetet e Bashkuara do të nisnin një sulm në shkallë të gjerë që shkatërron infrastrukturën kritike të Iranit, ky nuk do të thotë thjesht një raund tjetër presioni ushtarak. Do të jetë një situatë ekstreme. Do të thotë se lufta ka shkuar përtej objektivave ushtarakë dhe është shndërruar në shkatërrimin e aftësisë të një vendi për të funksionuar normalisht si shtet. Në një moment të tillë, logjika e përgjigjes së Iranit do të ndryshojë gjithashtu. Teherani nuk do të pyeste më se si të arrinte një fitore në fushëbetejë kundër një superfuqie. Do të planifikonte një lëvizje edhe më të ashpër: si ta bëjë që e gjithë bota të ndiejë koston e kësaj lufte. Ky është momenti kur kabllot e fibrave optike mund të shndërrohen në një armë gjeopolitike.
Nëse situatë përshkallëzon dhe do të sulmohet infrastruktura civile, këto kabllo kthehen në një kërcënim real për të gjithë botën. Ato janë rrugët e padukshme të botës moderne. Përmes kabllove nënujore të fibrave optike kalon më shumë se 99% e trafikut ndërkombëtar të të dhënave. Me fjalë të thjeshta, kjo do të thotë se transfertat e parave, lidhjet bankare, sistemet tregtare, platformat cloud, komunikimet zyrtare, operacionet e biznesit, transmetimet mediatike dhe jeta e përditshme dixhitale varen prej tyre. Ato nuk mbajnë vetëm mediat sociale. Ato mbajnë sistemin nervor të ekonomisë moderne.
Kjo është arsyeja pse, në një skenar ekstrem, ideja e Iranit që përpiqet të “presë” fibrat nuk mund të shpërfillet si fantazi. Përpara se të arrihet në përfundime të nxituara, fillimisht duhet gjykuar se çfarë i leverdis më tepër Iranit. Në kushte normale, sulmet kibernetike janë më të dobishme për Iranin për disa arsye: ato janë më të lira, më fleksibël, godasin objektivat me saktësi të lartë dhe mund të mohohet lehtësisht përgjegjësia. Irani ka treguar tashmë se di si ta përdorë fuqinë kibernetike. Vetë Shqipëria e ka përjetuar këtë fakt. Në vitin 2022, autoritetet amerikane ia atribuan publikisht operacionet kibernetike shkatërruese kundër sistemeve qeveritare të Shqipërisë aktorëve shtetërorë iranianë. Ky precedent ka shumë rëndësi. Na tregon se për Teheranin, sulmi dixhital nuk është vetëm një teori apo kërcënim. Është pjesë e instrumenteve të veprimit.
Por nëse Irani përballet me shkatërrimin e infrastrukturës së vet kombëtare, çështja është ndryshe. Në atë pikë, qëllimi i hakmarrjes mund të mos jetë më saktësia ndaj një shteti apo një tjetri. Qëllimi mund të jetë tronditja e botës. Pra, jo se do ta mposhtin SHBA në kuptimin klasik ushtarak, por mund të përpiqen të përhapin përçarje në shkallë të gjerë, aq sa ta ndjejë çdo vend i botës. Në këtë skenar, sabotimi i kabllove bëhet më i besueshëm, sepse logjika nuk është më “si ta mbrojmë veten nga dëmet kolaterale”, por “si ta bëjmë botën të paguajë kosto të tmerrshme”. Ky është lloji i ndryshimit që e kthen një luftë rajonale në një krizë globale, pa asnjë raketë që bie në Europë. Ky përfundim është në përputhje me dinamikën aktuale të luftës që Reuters ka përshkruar, ku kërcënimet e infrastrukturës, goditjet e naftës dhe frika ekonomike në zgjerim tashmë po e riformësojnë konfliktin shumë përtej fushëbetejës.
Por, çfarë do të ndodhte nëse fibrat do të priteshin? Jo domosdoshmërisht një moment të stilit hollivudian ku e gjithë bota bie në errësirë. Skenari më realist është më i ndërlikuar dhe në disa mënyra, më i rrezikshëm. Bota do të bëhej më e ngadaltë, më e fragmentuar, më e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme. Sistemet ndërkombëtare do të fillonin të dështonin në mënyrë jo simetrike. Disa shërbime do të vazhdonin, të tjera do të ngrinin dhe disa të tjera do të funksiononin vetëm pjesërisht. Bankat do të ekzistonin, por transaksionet mund të ngadalësoheshin ose të bëheshin të paverifikueshme apo të pagjurmueshme. Platformat qeveritare do të qëndronin në këmbë, por qasja në to mund të bëhej e pasigurt. Linjat ajrore, portet, sistemet doganore, pagesat, arkivat dixhitale dhe rrjetet e korporatave do të fillonin të funksiononin me vonesë, konfuzion dhe madje edhe ndërprerje. Tregjet nuk kanë nevojë për ndërprerje totale për t’u futur në panik. Ato kanë nevojë vetëm për pak pasiguri. Reuters ka raportuar tashmë se lufta e Iranit i ka shtyrë çmimet e naftës ndjeshëm më lart dhe i ka trazuar tregjet globale, ku investitorët kanë frikë nga dëme më të mëdha në sistemet e energjisë dhe furnizimit.
Pikërisht këtu fillon efekti zinxhir. Kur pagesat bëhen më të ngadalta, tregtia bëhet më e ngadaltë. Kur tregtia bëhet më e ngadaltë, çmimet rriten. Kur çmimet rriten, ankthi i publikut rritet. Kur sistemet zyrtare bëhen të paqëndrueshme, thashethemet përhapen më shpejt se faktet. Një skenar i ndërprerjes së fibrave optike nuk do të ishte vetëm një problem i lidhjes. Do të ishte një krizë besimi. Njerëzit papritmas do të pyesnin nëse paratë e tyre janë të sigurta, nëse të dhënat qeveritare janë të arritshme, nëse fluturimet do të rinisin, nëse bizneset mund të importojnë apo eksportojnë, nëse spitalet mund të kenë qasje në sistemet e tyre dhe nëse shteti ka kontrollin e situatës.
Për Europën, kjo do të thotë përçarje, por jo domosdoshmërisht do të arrihej në kolaps. Megjithatë, për shtetet më të vogla dhe shumë të dixhitalizuara, rreziku është më i madh. Dhe Shqipëria i përket pikërisht kësaj kategorie. Shqipëria ka zhvendosur shumicën e shërbimeve publike në internet. Sipas informacionit zyrtar, më shumë se 95% e shërbimeve publike tani aksesohen vetëm online përmes e-Albania që shërben si porta kryesore midis qytetarëve dhe shtetit. Në kohë normale, kjo është një arritje e jashtëzakonshme, që vetëm pak shtete në botë e kanë realizuar. Por në kohë krize, ajo që quhet pikë e fortë mund të kthehet në dobësi. Sa më shumë të kemi varësi nga qasja dixhitale, aq më të ekspozuar bëhemi kur kjo qasje ndalon së funksionuari.
Për Shqipërinë nuk ka rrezik se mund të zhdukemi brenda natës nga harta dixhitale. Dëmi është ndryshe: paralizë e pjesshme. Shteti është ende aty, por më i ngadaltë. Qytetarët mund të kenë ende të drejta në sistem, por e kanë më të vështirë për ta ushtruar atë. Të dhënat mund të ekzistojnë, por do të bëhen më të vështira për t’u rikuperuar. Aplikimet online, shërbimet tatimore, procedurat doganore, sistemi shëndetësor, lejet, regjistrat, sistemi kufitar dhe funksione të tjera publike mund të fillojnë të zvarriten nga vonesa ose ndërprerje, pikërisht kur qytetarët kanë më shumë nevojë për siguri. Në një vend ku sportelet fizike janë zëvendësuar nga qasja dixhitale, një tronditje e internetit nuk është më shumë një shqetësim i radhës. Kapacitetet e shtetit vihen në provë.
Kjo është arsyeja pse Shqipëria duhet të mendojë për sigurinë kombëtare në një shkallë më të gjerë sesa ajo ushtarake. Siguria kombëtare sot do të thotë nëse shteti mund të vazhdojë të funksionojë kur arteriet e tij dixhitale janë nën presionin që vazhdon e rritet. Kjo nuk përfshin vetëm sulmet kibernetike nga jashtë, por edhe një përçarje më të gjerë ndërkombëtare që prish ritmin normal të administratës publike. Shqipëria tashmë e di se ëstë tabelë qitjeje nga aktiviteti kibernetik iranian. Pra, nëse bota hyn në një fazë më ekstreme të konfliktit të Iranit, distanca nuk mund të quhet më mbrojtje. Në këtë rast, gjeografia ka më pak rëndësi, sepse armët më të efektshme udhëtojnë përmes rrjeteve, sistemeve dhe frikës që mund të ndjellin.
Prandaj, është mirë që qeveria të veprojë me mentalitetin e vazhdimësisë dhe jo atë të panikut. Detyrimi i parë është të sigurojë që shërbimet më të rëndësishme publike të mund të funksionojnë edhe kur mjedisi dixhital është i dëmtuar apo mund të mos funksionojë për një kohë të gjatë. Për këtë është e rëndësishme të bëhet i qartë dallimi midis shërbimeve që janë të rëndësishme dhe atyre që janë thelbësore. Në një krizë, shteti nuk ka nevojë që çdo portal të funksionojë në mënyrë të përsosur. Atij i duhet identiteti, kufijtë, doganat, sistemi shëndetësor dhe i emergjencës, koordinimi i policisë, të dhënat e regjistrit të gjendjes civile, funksionimi i thesarit dhe komunikimet themelore për të vazhduar pa konfuzion. Nëse Shqipëria e ka dixhitalizuar portën hyrëse të shtetit, tani duhet të ndërtojë edhe një derë të pasme për emergjencën.
Detyrimi i dytë është rivendosja e kapaciteteve të vjetra që shumë qeveri e kanë harruar: aftësia për të punuar manualisht kur sistemet nuk punojnë. Një vend bëhet i brishtë kur e merr për të mirëqenë se interneti do të jetë gjithmonë aty. Ministritë, bashkitë, portet, pikat kufitare, spitalet dhe zyrat e emergjencës civile duhet të dinë saktësisht se çfarë të bëjnë nëse sistemet janë të ngadalta, të ndërprera ose përkohësisht të paarritshme. Qytetarët nuk duhet të vihen në dijeni në mes të një krize se shteti nuk ka asnjë alternativë të shkruar në letër apo asnjë plan emergjence për raste të tilla. Shqipëria nuk ka nevojë të lërë pas dore reformën dixhitale. Ajo duhet ta bëjë atë reform, duke marrë parasysh që mund të përballojë strese të tilla.
Detyrimi i tretë është komunikimi me publikun. Në Shqipëri, çdo ndërprerje e internetit, sulm kibernetikm, sikur edhe në tentativë, kthehet menjëherë në spekullim. Në një krizë të tillë, thashethemet do të bëheshin një front i dytë problem për qeverinë. Prandaj, ajo duhet të jetë në gjendje të flaës më herët, më qartë dhe në mënyrë të përsëritur. Duhet të sqarojë se çfarë preket, çfarë nuk preket, cilat janë alternativat dhe çfarë duhet të bëjnë qytetarët. Në këtë rast, heshtja do të ishte e rrezikshme. Në një vend ku besimi është shpesh i brishtë, një boshllëk komunikimi mund të shkaktojë pothuajse aq dëme sa ndërprerja e internetit. Mësimi nga kjo luftë është se sulmet në infrastrukturë nuk krijojnë vetëm dëme fizike. Ato krijojnë një chaos narrative (sindroma që gjithçka është jashtë kontrollit).
Dhe së fundmi, Shqipëria duhet ta trajtojë këtë jo si një problem të brendshëm të izoluar, por si një çështje të aleancës. Asnjë vend i vogël nuk mund të mbrojë i vetëm linjat ndërkombëtare dixhitale. Përgjigja qëndron në koordinimin me partnerët e NATO-s, shtetet europiane, operatorët e telekomunikacionit dhe kompanitë nga të cilat varet gjithnjë e më shumë administrata dixhitale. Sa më e lidhur të bëhet Shqipëria me sistemet dixhitale, aq më shumë varet nga qëndrueshmëria e sistemit më të gjerë përreth saj. Kjo është e vërteta e pakëndshme e epokës dixhitale: sovraniteti nuk ka të bëjë më vetëm me territorin. Ka të bëjë edhe me vazhdimësinë.
Pra, nëse Amerika shkatërron infrastrukturën civile të Iranit në një shkallë të gjerë, Teheranit mund të mos i interesojë më për fitore në kuptimin e luftës tradicionale. Mund të interesohet më shumë për përhapjen e kostos, konfuzionit dhe presionit përtej kufijve të vet. Në një skenar të tillë, “prerja” e fibrave optike kthehet në një llogari reale, jo sepse garanton fitoren, por sepse shkakton dhimbje. Dhe dhimbja, në logjikën e shteteve të dëshpëruara, mund të bëhet një strategji më vete. Për botën, kjo do të thoshte sisteme më të ngadalta, stres financiar dhe paqëndrueshmëri në rritje. Për Shqipërinë, kjo do të thoshte diçka edhe më e drejtpërdrejtë: një provë që nëse një shtet që është zhvendosur online pothuajse tërësisht, a mund të funksionojë ende kur ekrani nuk funksionon më?
Është e vërtetë që ne kemi ndërtuar sisteme që e bëjnë jetën më të shpejtë, më të lehtë dhe më efikase. Gjithashtu, kemi krijuar edhe varësi prej tyre si kurrë më parë.
Pra, çështja nuk është nëse Irani mund të fitojë një luftë kundër Shteteve të Bashkuara. Kjo është e pamundur. Çështja është se nëse Irani shtyhet deri në kërcënimin e ekzistencës, sa prej nesh mund të marrë me vetë. Sepse kriza e ardhshme globale mund të mos fillojë me një shpërthim. Mund të fillojë kur gjithçka thjesht ndalon së funskionuari.

spot_img

Latest articles

Related articles