nga Sebastian Zonja
Ish-kryeministri italian Romano Prodi tha këtë javë gjatë një interviste për mediet vendase se gazi rus do rikthehet në Evropë sapo institucionet financiare amerikane të bëhen bashkëaksionere nëpër tubacione e gazit. “Pikërisht kështu do të përfundojë gjithçka. Do ta shihni vetë se si do zhvillohen ngjarjet. Më duket se ky është qëllimi i Trampit.”, tha ai. Skenari që politikani italian parashtron për publikun evropian është ai ku investitorët amerikanë marrin nën kontroll pronësinë e infrastrukturës energjetike ruse, duke lejuar më pas që gazi dhe nafta të vijnë drejt Evropës pa ndonjë pengesë. Sipas tij, BE-ja do të detyrohet të bëhet pjesë e këtij projekti.
Aktualisht, sipas statistikave, Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi më i madh në botë i naftës dhe gazit natyror. Ndiqen nga Rusia dhe Arabia Saudite. Amerika, pas vitit 2008, me perfeksionimin e teknikave të nxjerrjes së gazit dhe naftës, në 2018-ën mori kurorën si vend eksportues dhe superfuqi energjetike në botë. Teksa lufta në Lindjen e Mesme mund të dobësojë fuqinë e OPEC-ut, boshti energjetik pritet të jetë në vijim ai mes ShBA-së dhe Rusisë. Evropa i gjend e papërgatitur në këtë skemë të madhe shahu energjetik.
Dy grabitqarë
Dy superfuqitë, Amerika dhe Kina, aktualisht janë pozicionuar si grabitqarë në skenën energjetike ndërkombëtare. ShBA-të po tentojnë kontrollin total të naftës dhe gazit. Kanë tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve deklaratat e shefit të Shtëpisë së Bardhë për kontrollin e naftës në Venezuelë dhe në Iran. Në krahun tjeter, Kina kontrollon 90% të metaleve të rralla, të cilët janë të domosdoshëm për teknologjitë e reja (automjete elektrike, mikroçipa, panele diellore). Kina zotëron mbi 60% të minierave botërore prej nga nxirren mineralet e rralla, teksa përpunon shumicën dërrmuse të tyre (80-90% të grafitit, litiumit dhe kobaltit). Ajo kontrollon gjithashtu rreth 80% të zinxhirit të prodhimit të Paneleve diellore në botë.
Asimetria
Rivaliteti energjetik ShBA-Kinë pasqyron një ndryshim themelor në dinamikat e fuqisë globale. Konfliktet për zinxhirët globalë të furnizimit pritet të shtohen. Pekini është pozicionuar si lider drejt tranzicionit tek energjia e gjelbër, ShBA-të për lëndët fosile. Pikërisht kjo asimetri sjell varesi dhe konkurencë: ShBA-të varen nga mineralet e përpunuara nga Kina, ndërsa Pekini nga nafta dhe gazi amerikan. Historia na ka mësuar se tranzicionet energjetike kanë sjellë edhe përplasje të forta gjeopolitike. Kur Britania ishte ende te avulli dhe Gjermania shpiku makinën me djegie të brendshme, të gjithë e dimë se shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Për vite të tëra, pavarësisht se studiues të fushës e kishin vënë theksin prej kohësh, mineralet kritike u nënvlerësuan prej Amerikës dhe Evropës, teksa Pekini punonte përditë si t’i vendoste nën kontroll. Bateritë, automjetet elektrike, panelet diellore dhe mikorçipat e avancuar për përdorim ushtarak dhe industrial sot janë mjete që Kina i ka perfeksionuar për t’i përdorur në tregtinë ndërkombëtare. ShBA-të kanë reaguar duke vendosur tarifa mbi automjetet elektrike kineze, panelet diellore dhe bateritë.
Sisteme paralele
Administrata e shkuar amerikane nisi një projekt ambicioz për të shkruar drejt energjisë diellore. Gjermania po ashtu ka ndërmarrë hapa të tillë. Ndërkohë, avantazhi i thellë amerikan në këtë rend mbetet nafta dhe gazi. Kjo konkurrencë mes dy superfuqive mund të na çojë drejt dy sistemeve paralele: njëri në Perëndim që ka për bazë lëndët fosile, tjetri kinez që ka në thelb energjitë e rinovueshme.



