Në Këshillin Bashkiak të Vlorës po përsëritet një skenë që fatkeqësisht nuk është më as surprizë, as e re, as e papritur: opozita ngre argumente ligjore, ekonomike dhe sociale, rendit kundërshtime të mbështetura në interesin publik, paralajmëron pasoja për qytetin dhe financat e qytetarëve, por në fund gjithçka mbytet nën zhurmën e një rituali banal e arrogant: ngritjen mekanike të kartonëve të mazhorancës dhe miratimin e vendimeve të paarsyetuara e në kundërshtim me interesin publik.
Aty ku duhej të fliste arsyeja, flasin numrat.
Aty ku duhej të vendoste ligji, vendos nënshtrimi.
Aty ku duhej të mbrohej Vlora, mbrohet pushteti, korrupsioni, oligarkët.
Pyetja që u lind natyrshëm qytetarëve është: “Ku e gjen këtë forcë arroganca për të shkelur ligjin pa iu dridhur dora?”
Mos vallë te frika nga lideri, që e ka kthyer votën në këshill nga akt përfaqësimi në akt nënshtrimi? Në shumë raste, këshilltarët nuk duken më si zë i qytetarëve, por si ushtarë të një detashmenti ushtarak ku mendimi ndryshe konsiderohet tradhti. Kartoni nuk ngrihet për bindje, por për mbijetesë politike.
Apo mos vallë kjo forcë buron nga kapja klienteliste, nga ato interesa ku një vendim i paligjshëm nuk është thjesht votë, por kthimi i borxhit ndaj atyre që ushqejnë pushtetin? Sepse shpesh vendimet më të dyshimta nuk kanë as logjikë ekonomike, as nevojë sociale; kanë vetëm erën e rëndë të favoreve, tenderave të paracaktuar, interesave private dhe pazareve të heshtura.
Ka edhe një shpjegim tjetër: Makutëria që të jep pushteti.
Pushteti i gjatë krijon iluzionin e paprekshmërisë. Të bën të besosh se ligji është për të tjerët, se institucionet janë kot, se qytetarët harrojnë, se dokumentet humbasin apo tjetërsohen, se firmat zhduken, se koha i pastron të gjitha. Pikërisht këtu lind arroganca më e rrezikshme: “Te bindja se mund të bësh çdo gjë dhe të mos japësh kurrë llogari.”
Por ndonjëherë, përtej frikës, kapjes dhe makutërisë, ekziston edhe diçka më e rëndë: budallallëku politik. Ai lloj vetbesimi i verbër që i bën disa të mendojnë se shumica numerike është baraz me të drejtën. Dhe kartonat e rrëzojnë rregulloren, ligjin, procedurën dhe interesin publik. Se arroganca është argument dhe shkelja e ligjit është “vendimmarrje”.
Po si nuk kanë frikë nga drejtësia?
Ndoshta sepse janë mësuar për vite që drejtësia të vijë vonë ose të mos vijë fare.
Ndoshta sepse kanë parë shumë fatura që duheshin shlyer të shtyhen.
Ndoshta sepse besojnë se pushteti i sotëm është garanci për pafajësinë e nesërme.
Por historia politike dhe administrative dëshmon se: Çdo karton i ngritur në kundërshtim me ligjin lë gjurmë. Çdo vendim klientelist ka emër, datë, procesverbal, firmë dhe përgjegjësi. Dhe kur ndryshon klima politike, kur lëvizin ekuilibrat, kur drejtësia zgjohet ose kur dikush vendos të flasë, ajo që dukej si forcë kthehet në provë.
Në fund, vjen fatura.
Dhe zakonisht vjen më e kripur sesa fitimi i çastit, pavarësisht shumave marramendëse të fituara.
Vjen si hetim, si dosje, si dëm ekonomik për qytetin, si barrë për taksapaguesit, si njollë morale, si turp publik. Vjen si përgjegjësi personale për ata që menduan se kartoni i shumicës i mbronte nga ligji.
Vlora nuk ka nevojë për një këshill që vulos tekat e pushtetit, por për një institucion që mbron qytetin nga orekset e tij.
Të kuptojnë e të kujtohen se kur arroganca qeveris mbi ligjin, humbet demokracia — por mbi të gjitha humb qytetari.
Dhe qytetari nuk harron përjetë.



