Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është bërë epiqendra e vetë shtetit, ku nga njëra anë institucionet qendrore kërkojnë sisteme elektronike dhe nga ana tjetër institucionet ligjzbatuese kanë gjetur një mori shkeljesh, duke ngritur akuzë ndaj disa zyrtarëve dhe pronarëve të firmave private.
Çdo javë, kjo agjenci akordon dhjetëra miliona euro për procedura të reja apo mirëmbajtjen e sistemeve të vjetra, ndërkohë po gjatë këtyre javëve në zyrat e BKH-së apo SPAK-ut ngrihet akuzë dhe verifikohen një mori shkeljesh.
Të gjithë janë vënë pas parasë, ku shtetarët po mundohen të vjedhin sa më shumë, teksa hetuesit po mundohen të gjurmojnë këto para’.
Megjithëse janë bërë disa aksioneve policore apo edhe të prokurorisë, sërish ka intriga dhe prapaskena në tenderat që po bën aktualisht AKSHI, teksa aktorët që marrin pjesë apo kundërshtojnë njëri–tjetrin janë të njëjtë.
Sërish, në krye të kësaj “skeme” qëndrojnë biznesmenët Ermal Beqiri dhe Gerond Meçe, i pari “në kërkim” dhe i tyri deri më tani në rolin e “pengut”, ose anasjelltas…
Pikërisht këta të dy, janë “përplasur” në procedurën e radhës që ka tentuar t’a finalizojë AKSHI, në tenderin e majmë të sistemit të shërbimit konsullor. Procedura është hapur që në kohën e Mirlinda Karçanajt, teksa kompanitë kanë kundërshtuar fillimisht kriteret e vendosura dhe më pas kanë bërë “akuza” ndaj njëra – tjetrës. Karçanaj nxitoi të shpallte fitues një kompani “hije” të Ermal Beqirit, madje nxori edhe njoftimin, por rotacioni i drejtorëve, ku vendin e saj e zuri Igli Tafa, solli anulimin në momentin e fundit.




