nga Sebastian Zonja
Deputeti socialist Erjon Braçe i cilësoi këtë javë tregtarët e naftës kartel. Akuza është e fortë. Edhe më herët deputeti ka bërë akuza të forta. Ngjashëm me të, prej vitesh, qytetarë të shumtë të angazhuar nëpër Shqipëri bëjnë denoncime të forta për kartelin bankar, mafien e pronave, establishmentin katovician mafioz, kartelin e sigurimeve, zhvatjen nga operatorët telefonikë, falimentimin e fermerëve dhe fshatit, falimentimin e industrisë përpunuese, mungesën e ilaçeve nëpër spitale… Sa shumë denoncojnë qytetarët. Tek – tuk denoncon edhe Braçja nga foltorja e Kuvendit. Është interesante kjo grabitje e zërit të revoltuar qytetar, duke e lënë atë jetim dhe duke i vjedhur kauzën apo dhimbjen.
Çuditërisht, asnjëra prej akuzave të Braçes nuk gjen zgjidhje institucionale! As ato të qytetarëve nuk gjejnë zgjidhje. Qytetarët flasin nga halli i përditshëm, Braçja nga nevoja si deputet për vota. Kjo që na thotë Braçja nga parlamenti është njëjtë si të dalë drejtori i policisë dhe të thotë se kemi ankesa për sigurinë publike. Nëse policia është ajo që e ruan sigurinë, kujt po i ankohet, qytetarëve? Ajo që e dallon deputetin nga një qytetar i shqetësuar apo i angazhuar në Lushnjë dhe Kukës është fakti se Braçja mund të shkojë në parlament me propozimin për një ligj anti-monopol ndërsa qytetari akuzën dhe dhimbjen ka. Edhe pse e kemi një ligj të tillë, deputeti mund të kërkojë amendime, për shembull. Po ashtu, mund të na thotë nëse ka apo jo kontrabandë hidrokarburesh?! Pse nuk e bën këtë Braçja? Faktikisht, përtej retorikës politike, kjo është mënyra si kanë vepruar shpeshherë nëpër Evropë politikanët. Shumë deputetë, prej dekadash, kanë ngritur shqetësimin se ka kompani monopol dhe kartel nëpër botë dhe kanë paraqitur mënyrën si ta godasin. Disa kanë çuar fakte pranë Autoriteteve të Konkurencës nëpër vendet përkatëse, të tjerë kanë paraqitur draftet si thyhet karteli apo monopoli.
Nëse ecim me logjikën se ata që kanë karburante nuk duhet të fitojnë, do mbetemi nëpër radhë për një litër naftë. Këtë na thonë socialisti Erjon Braçe, tap topi nga ekonomia. Nëse e lëmë me të ashtuquajurin çmimin e tregut, spekulantët do rrjepin ç’të munden. Këtë na thote një grup studiuesish për tregun e lirë pranë shkollës ekonomike në Bruklin të ShBA-ve.



