Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë – Forumi 26 shpreh shqetësimin e thellë për mungesën e autorëve shqiptarë në stendën e Shqipërisë në Panairin e Librit në Leipzig, 19 -22 mars 2026, një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare të librit.
Forumi 26 konstaton se këtë vit në stendën e Shqipërisë, hapësirë e financuar nga Traduki, rrjet europian që mbështet letërsitë e Europës Juglindore, nuk u zhvillua asnjë aktivitet.
Një kulturë letrare gjallon nëpërmjet debatit që krijohet rreth teksteve, jo nga numri i librave që paraqiten në një stendë. Mungesa e autorëve në stendën e Shqipërisë, në panairin e Leipzig-ut, në një hapësirë ku takohen autorë, botues dhe lexues nga e gjithë bota, është e palogjikshme dhe e papranueshme.
Tërheqim vëmendjen se Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, pasi hoqi në mënyrë të papërgjegjshme nga Çmimet Kombëtare të Letërsisë gjinitë e poezisë, të tregimit, dhe të letërsisë për fëmijë, duke mos garantuar praninë e autorëve në stendën e Shqipërisë në Panairin e Leipzig-ut, jo vetëm që nuk po përmbush mision e saj për “mbështetjen e projekteve për promovimin e letrave shqipe në tregun europian dhe atë botëror”, por, për fat të keq, po luan një rol pengues, dhe prapavajtës.
Forumi 26 kërkon trajtimin me dinjitet të autorëve shqiptarë, dhe e konsideron të padiskutueshme praninë e tyre në Panairin e Leipzig-ut, por njëherazi, duke theksuar se përfaqësimi ndërkombëtar i letërsisë shqipe duhet të mbështetet mbi kritere të qarta cilësie, përfaqësimi profesional dhe meritokracie, në mënyrë që të ruhet dinjiteti dhe integriteti i kulturës sonë letrare.
Forumi 26 i bën thirrje drejtuesit të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, z. Blendi Gonxhe, që të marrë masa të menjëhershme për të zëvendësuar drejtuesen e shkarkuar para disa muajsh, në përfundim të mandatit si drejtuese e QKLL-së dhe të garantojë që ky institucion të përmbushë misionin e tij, duke shmangur shkeljen e mëtejshme të ligjit.
Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë Forum 26



