Pas një bashkëpunimi mbi 10-vjeçar, gazetari dhe botuesi Ilir Babaramo është larguar nga Report Tv për prishje të marrëdhënies së mirëbesimit. Gjatë një transmetimi live më datë 22 mars 2026, zoti Babaramo deklaroi dy herë se kolegu i tij në studio, Denis Minga merrte porosi dhe orientim politik nëpërmjet kufjeve, një praktikë që në Report Tv nuk është përdorur kurrë, siç vetë Babaramo mund ta dëshmojë. Insinuata të tilla cenojnë besimin e publikut ndaj televizionit në të cilin ai punon dhe dëmtojnë imazhin personal dhe profesional të kolegut të tij, gjë që është e papranueshme në një media profesionale, në shkelje të hapur të etikës, Kodit të Punës dhe kontratës.
Për këtë arsye, zotit Babaramo iu komunikua, pas përfundimit të transmetimit live, pezullimi i emisionit të tij të parashikuar për sot, në pritje të një sqarimi të mëtejshëm. Por sot në mëngjes, në portalin e tij, zoti Babaramo (dmth edhe si botues) ka deklaruar se është pushuar nga puna nga Report Tv me argumentin e përsëritur se në Report Tv nuk pranohen sulmet ndaj qeverisë: “Nuk pranoj që të punosh për mua dhe të kritikosh qeverinë”, përsëriste pa pushim botuesi i televizioni, tregon më tej Babaramo”.
Report Tv ndjen për detyrë të sqarojë para publikut të tij se nuk ka punësuar kurrë gazetarë “papagallë”, por profesionistë të lirë, ndërkohë që pavarësia e linjës editoriale vërtetohet çdo ditë nga pluralizmi i opinioneve që janë të pranishme dhe të mirëpritura në çdo emision tonin, një prej të cilave ka qenë deri sot (dhe për tetë vite) edhe ai i zotit Babaramo, dhe kjo pavarësisht nga pëlqyeshmëria e treguar nga publiku dhe niveli i audiencës sepse jemi të vetëdijshëm që edhe pluralizmi ka koston e vet, por gjithmonë në respekt reciprok dhe në mbrojtje të etikës.



