Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka bërë të ditur se qeveria ka vendosur të ringrejë Bordin e Transparencës për monitorimin e çmimeve të karburanteve, në kushtet e rritjeve të fundit në treg.
Gjatë një interviste për Top Story ajo njoftoi gjithashtu uljen me 20 për qind të akcizës së naftës, nga niveli aktual prej 39.6 lekë për litër. Sipas saj, të dyja masat do të kalojnë me urgjencë për miratim në Këshillin e Ministrave.
Ministrja sqaroi se mekanizmi i përllogaritjes së çmimit do të mbetet i bazuar në bursën ndërkombëtare Platts, duke përfshirë taksat dhe një marzh të përcaktuar fitimi. Konkretisht, marzhi do të jetë 3 lekë për litër për shitjet me shumicë dhe 12 lekë për litër për shitjet me pakicë.



