Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare themeluesi i partisë “Lega Nord” në Itali, Umberto Bossi.
Ministër, senator, anëtar i parlamentit italian dhe anëtar i Parlamentit Europian, ai themeloi partinë ku ishte sekretar federal deri në vitin 2012 dhe më pas president i përjetshëm. Ai shërbeu gjithashtu edhe si ministër për reformat e federalizmit.
I zgjedhur për herë të parë në Senat në vitin 1987, Bossi hyri në qeveri për herë të parë në vitin 2001, kur u emërua Ministër për Reformat Institucionale dhe Decentralizimin në qeverinë e Berlusconi II.
“Corriere della Sera” shkruan se Bossi u shtrua në terapi intensive në spitalin e Varese ditën e mërkurë, ku gjendja e tij u duk menjëherë kritike. Gjendja e tij u përkeqësua këtë të enjte ku ndërroi jetë në orën 8:30 të mbrëmjes.
I lindur më 19 shtator 1941 në Cassano Magnago në provincën e Vareses, ai filloi përfshirjen e tij në politikë në fillim të viteve 1970 në grupin komunist “Il Manifesto”, Partinë e Unitetit Proletar për Komunizmin dhe ARCI. Por, pas disa vitesh ai u interesua për kauzën dhe idetë autonomiste dhe federaliste pas takimit të tij me Bruno Salvatorin, i cili ishte shumë i afërt me Unionin Valdôtaine.
Në vitin 1979 ai u takua me Roberto Maronin, me të cilin filloi një partneritet të gjatë politik. Në fillim të viteve 1980 ai themeloi “Lega Autonomista Lombarda”, e cila më vonë do të bëhej “Lega Lombarda”. Ai u zgjodh sekretar i saj kombëtar deri në vitin 1993 përpara se t’i jepte jetë projektit “Lega Nord”. Ai shërbeu si sekretar i saj për afërsisht 20 vjet.
Në ato vite, Bossi filloi të fliste hapur për projektin e pavarësisë për Padaninë, duke organizuar demonstrata të shumta dhe duke themeluar disa media si RadioPadania dhe TelePadania.
Në vitin 1994, pati një lidhje e shkurtër me “Forza Italia”, partinë e sapoformuar të Silvio Berlusconit, por të dy vazhduan të kishin marrëdhënie të përziera deri në fillim të viteve 2000, me formimin e koalicionit Casa delle Libertà që fitoi zgjedhjet e përgjithshme



