Mashtrimet përmes mikrokredive. Si po rëndohen qytetarët nga borxhet

spot_img
Advertisements


Gazetari Enes Molla ngriti shqetësimin për skemat e mashtrimit me mikrokreditë, pas sekuestrimit të shoqërive “Micro Credit Albania” dhe “Final”, duke theksuar se shumë qytetarë nuk janë të informuar si funksionon marrja e një kredie dhe kostoja reale e saj.

Ai u shpreh për “MCN Informacion” se reklamat shpesh premtojnë kredi të shpejta dhe pa interes, por në realitet kostot janë shumë më të larta.

Sipas tij, viktimat janë kryesisht shtresa me të ardhura të ulëta, që marrin kredi për nevoja urgjente si ilaçe apo trajtime shëndetësore.

“Viktimat e këtyre mikrokredive janë kryesisht shtresa më e ulët e shoqërisë, shumë qytetarë raportojnë se kredia e tyre është shitur tek një palë e tretë pa dijeninë e tyre,” u shpreh Molla, duke theksuar se kjo praktikë shkel Kodin Civil dhe legjislacionin bankar.

Ai sqaroi se sipas ligjit, kredimarrësi duhet të njoftohet zyrtarisht për transferimin e kredisë, ndërsa në praktikë qytetarët njoftohen vetëm përmes telefonatave nga kompanitë e mikrokredive.

Kjo është një procedurë gabim ligjor, që cenon të drejtat e qytetarit dhe mund të bëhet objekt gjyqi.

Molla theksoi gjithashtu se kjo situatë krijon një spirale borxhi, ku një kredi e vogël mund të shumëfishohet për shkak të interesave dhe komisioneve.

Në disa raste, një kredi prej 100.000 lekë mund të shndërrohet në 400.000 ose më shumë, duke krijuar një efekt spirale.

Sipas tij, përgjegjës për kontrollin janë Banka e Shqipërisë dhe institucionet e tjera, por ato kanë qëndruar pasive. Një tjetër problem është se bankat shesin borxhet me çmime shumë të ulëta, ndërsa qytetarëve u kërkohet shuma e plotë me interesa.

“Sistemi i mikrokredive në Shqipëri, krijon një spirale të pafund borxhi për qytetarët më të cenueshëm,” tha ai, duke kërkuar monitorim më të rreptë, masa ndëshkuese dhe më shumë informim për qytetarët.

Në fund, ai kërkoi hetim nga Tatimet për shitjet e portofolëve të kredive dhe marrëdhëniet mes bankave dhe kompanive të mbledhjes së borxheve gjatë viteve të fundit.

spot_img

Latest articles

Related articles