Safari Burokratik “Made in Albania”

spot_img
Advertisements

nga Ulqi Korreshi

Në administratën shqiptare ekziston një specie që nuk e gjen në asnjë enciklopedi zoologjike: “palloi burokratik”.

Këshilltarë kabinetesh ministrore, diku te 30 vjeç e pak, me CV bosh sa fleta e bardhë e printerit, kuruar me lekët e taksapaguesëve dhe mision servilizmin shoqëruar me pak lëpirje…

Çdo çështje trajtohet me fjalinë magjike:
“Duhet ta trajtojmë.”
Pas kësaj, ka vetëm qetësi. As aplikim, as zbatim, as ide, veç një re puplash shumëngjyrëshe.

Sa shfaqet një kamerë, një dritë, një telefon me tre lente apo ndonjë “banane” për mikrofon, puplat hapen si në kopsht zoologjik. Silikoni merr frymë më shumë se vetë pronari dhe skena bëhet versioni burokratik i një filmi erotik… pa mandigo.

Ajo që të mahnit është mjeshtëria e tyre, gjejnë këndin ideal, kapin dritën hyjnore dhe fotografohen sa herë flet dikush tjetër, për të krijuar iluzionin se po dëgjojnë me vëmendje.

Nëse shfaq kompetencë, të hapet dosje 200-faqëshe me ato që ke bërë, ato që ke ndërmend të bësh dhe ato që se di akoma që do ti bësh.
Mirëqenia jote? Akuzë.
Eleganca? Provokim.
Suksesi? Kasus belli.

Pallonjtë ushqehen me thashetheme të përpunuara me ligësi në stomakun e imagjinatës, përzier me inferioritet profesional dhe të serviruara si “informacion konfidencial” te shefat e tyre bole e bolesha që mezi presin rezultatin e aparatit tretës.

Në mbledhje, pallonjtë shndërrohen në gladiatorë të fjalëve boshe, duke lenë bolet te gardhi…

Udhëtimet jashtë vendit?
Bloggers të financuar nga shteti.
Raporte? Asnjë.
Selfie dhe foto? 180.
Takime produktive? Zero.
Por story-t… o Zot, story-t! Për diplomaci përdorin filtri “Paris Warm”.
Mrekulli! Raportet nuk lexohen, por story-t shihen 24 orë rresht.

Në këtë habitat, dolosianët shumohen shpejt, frymojnë intriga, prodhojnë drama, ushqejnë monstra administrative dhe e mbajnë çdo projekt në ngrirje absolute.

Dhe titullarët? I duan. I dekorojnë. I lëpijnë e i lëpihen. Në vend të rezultateve, merren me rreshtimin e puplave për një foto të bukur me gëlasë dhe thashethemin e radhës…

Në një vend ku dielli dhe shiu rrahin fort dhe durimi i popullit akoma më fort kabinetet vazhdojnë të ushqejnë pallonjtë, këto krijesa të kombinuara me silikon, ego dhe zero profesionalizëm.

Ky është safari i përditshëm i administratës shqiptare, shumë pupla, shumë zhurmë, shumë selfie… dhe shum pak punë.

spot_img

Latest articles

Related articles