Pas çështjes Balluku kemi hyrë në një fazë të re politike

spot_img
Advertisements

Nga Fitim ZEKTHI

Me atë që bëri kryeministri Rama duke mos lejuar heqjen e imunitetit parlamentar për ish-zëvendëskryeministren Balluku, gjërat shkuan shumë larg. Qeveria dhe kryeministri e shpallën haptaz se nuk janë të gjithë të barabartë para ligjit, se qeveria dhe qeveritarët, se politikanët dhe drejtuesit e lartë politikë, ata që kanë pushtet të madh, nuk i nënshtrohen parimeve bazë të së drejtës. Kryeministri Rama dhe Partia Socialiste shpallën hapur se ata kanë të drejtën të interpretojnë të fundit ligjin dhe kushtetutën dhe jo pushteti gjyqësor.

Shqipëria kishte vuajtur nga një sëmundje e rëndë që prej fillimit të pluralizmit në vitet 1990, kishte vuajtur nga sëmundja e marrjes së pushtetit të interpretimit fundor të ligjit dhe të drejtës nga qeveria dhe zyrtarët e lartë politikë. Që prej fillimit të viteve 1990 e deri pak kohë më parë pushteti gjyqësor kishte pasur fjalën e fundit vetëm për njerëzit e dobët dhe për hallexhinjtë, vetëm për ata që ndërtojnë mure apo gardhe për shtëpitë, për ata që nuk paguajnë dritat apo që rrihen me njëri-tjetrin për vija, për ata që kapen me hashash e të tjera. Mbi ta kishte rënë shumë e egër pesha e pushtetit gjyqësor duke i futur në burgje ose duke u marrë para me korrupsion. Kryeministra e ish-kryeministra, ministra dhe bosë të mëdhenj ishin të paprekshëm. Ky ishte në thelb, dhe duket se është, një prej akteve më perverse që rëndon mbi këtë vend. Nuk ka perversion më të madh dhe zvetënim më të pashembullt për një njeri apo një strukturë politike si qeveria apo klasa politike sesa të ngrejë veten në një pozitë të paprekshme nga çdo gjë dhe të dërrmojë apo sakatojë me ç’të mundet më të dobëtit.

Pak kohë më parë, ndoshta tre katër vite më parë, nisi të marrë jetë një qasje e re. Të paprekshmit po hetoheshin, po shkonin në gjyq, po përgjigjeshin para gjykatës. Kjo preku dhjetëra bosë të mëdhenj të krimit, ish-kryeministra dhe ministra shumë të fuqishëm. Kryeministri Rama, i cili kur ndodh diçka e mirë vrapon të thotë se e ka bërë ai dhe kur ndodh diçka e keqe vrapon të thotë se ai nuk ka asnjë faj, thoshte kudo se reforma në drejtësi ishte një përpjekje e tij dhe se ai ishte një mbështetës i madh i prokurorisë SPAK dhe gjykatës speciale GJKKO. Ai ishte shprehur se nuk do të pengonte me asgjë hetimin e politikanëve të lartë edhe po të preknin qeverinë e tij. Kushdo kishte përgjegjësi personale dhe do të dilte e të shkonte në gjykatë apo në prokurori. Tashmë ai mbrojti me forcë ish-zëvendëskryeministren Balluku. Më e rëndë është mënyra se si e mbrojti, arsyetimi që bëri. Në radhë të parë ai riktheu një gjuhë të shëmtuar të njohur prej kohësh, gjuhën në të cilën qeveria gjykon punën e gjyqësorit. Ai dha konsiderata se si po punon drejtësia, se si ajo po fut njerëz në burg pa prova, se si ajo heton pjesërisht apo në mënyrë përzgjedhëse dhe jo në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse, se si ajo përdor copëra argumentesh etj. Personalitete më të larta të drejtësisë kohë më parë kanë thënë se qeveria nuk ka të drejtë, nuk është puna e saj të gjykojë mënyrën se si vepron drejtësia. Kryetari i Gjykatës Supreme në SHBA tha kohë më parë tekstualisht se gjyqësori e gjykon mënyrën se si punon qeveria dhe jo qeveria mënyrën se si punon gjyqësori. Kështu është ideuar dhe shkruar në kushtetutë kjo gjë. Rama tha të kundërtën.

Rama dhe gjithë ekipi i tij i PS-së thanë se ata nuk e heqin imunitetin e deputetes Balluku sepse nuk ka prova të mjaftueshme, se kjo pengon drejtësinë, sepse ajo ka një masë sigurie e cila mjafton. Ky interpretim është skandaloz edhe për nivelin më mediokër të një shtetari, të një juristi apo një studiuesi të ligjit kushtetues.

Ajo nëse është diçka provë apo jo, a është një provë e mjaftueshme apo jo, a është një masë sigurimi e mjaftueshme apo jo, nuk janë gjëra që i gjykon parlamenti, as qeveria padyshim. Këto gjëra i gjykon vetëm gjykata. Se cila është masa e sigurisë në mënyrë që hetimi të kryhet brenda ligjit dhe të drejtës nuk është diçka që e gjykon apo përcakton parlamenti, por vetëm gjykata.

Të treja degët e pushtetit, ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqësori janë të treja të barabarta në peshë. Asnjëra prej tyre nuk ka ndonjë fuqi apo peshë më të madhe mbi njëra-tjetrën. Këto janë parime elementare. Njëra zbaton rregullat, njëra i shkruan ato dhe njëra i interpreton ato. Ato janë të ndara dhe kontrollojnë njëra-tjetrën. Liderët e këqij, politikanët e këqij, qeveritë e këqija e shtrembërojnë, e ndosin këtë mekanizëm dhe nga pozicioni i ekzekutivit, nga pozicioni i forcës, marrin në dorë edhe pushtetin e gjykatës. Kjo është një luftë e vjetër dhe njerëzit e pandalur kanë pasur si ideal parimin që askush nuk është mbi ligjin, kanë pasur parimin që gjykata duhet të ketë fjalën e fundit dhe ajo nuk duhet të jetë nën peshën e të fortit. Rama u rikthye aty ku ishim, por këtë herë më keq. Është më keq sepse nisi një rrugë, nisi diçka që ishte shpresëdhënëse dhe ajo u thye. Është më keq sepse tregoi, siç dihej, që Rama ishte po ai lloj politikani që nuk mund të pranojë të drejtën apo drejtësinë si diçka që mund të prekë atë dhe qeverinë e tij. Ai shfaqi se është njëlloj si politikanët e vjetër të Partisë së Punës, njëlloj si politikanët e këtyre 35 viteve, që nuk e pranon të hetohet, që nuk e pranon të jetë si të tjerët i barabartë para ligjit. Është edhe më keq se kjo sjellje e Ramës shkatërroi rrugën për në BE. Tani ajo është në një pikë tjetër, shumë më poshtë. Tani pushteti i Ramës ka vdekur si pushtet i një kryeministri, tani është pushtet i një njeriu që do të bëjë gjithçka, që do ta kthejë qeverisjen në një mekanizëm mbrojtjeje për veten dhe pushtetin e tij. Qeveria tani ka vetëm një detyrë: si të mbrojë kryeministrin dhe pushtetin e tij nga hetimi. Richard Nixon, kur dha dorëheqjen pasi po niste të hetohej nga Kongresi, tha se dorëhiqej sepse po të rrinte në detyrë do të merrej vetëm me mbrojtjen e vetes dhe jo me qeverisjen e SHBA-së. Imagjino një njeri me formim totalitar si këtu.

spot_img

Latest articles

Related articles