Revolta e Ema Andreas | Nga Ermal Peçi

spot_img
Advertisements

Po e bëj këtë reflektim vetëm sepse e vlerësoj shumë Ema Andrea. Nuk e njoh personalisht, por sa herë kam ndjekur rolet e saj në teatër, më kanë lënë gjithmonë një përshtypje shumë të mirë për profesionalizmin dhe seriozitetin e saj në art. Ka artistë që, edhe pa i njohur, të krijojnë respekt vetëm përmes punës dhe dinjitetit që përcjellin në skenë.

Debati i djeshëm me Monika Kryemadhi në emisionin Goca dhe Gra ishte një tjetër dëshmi e absurdit shqiptar.
Shqipëria është shpesh një vend i çudirave. Në shoqëritë post-komuniste ndodh shpesh një paradoks i madh: mund të gjesh gjithçka, përveç profesionistëve dhe dje ne pamë një ish-politikane që fliste për artistët pa veshur këpucët e tyre. Kur them pa veshur këpucët e tyre, flas për atë që ka hequr një artist dhe arti në këto 35 vite, problematikat që kanë të bëjnë me mungesa financimi të qëndrueshme, pagesat minimale, kushtet e vështira të punës dhe politizimi i institucioneve kulturore.

Kur një politikane i thotë para një artisteje si Ema Andrea se artistët bëhen “kacidhe” sepse e lejojnë vetë, problemi nuk është te artistët. Problemi është te politika që për vite me radhë i ka trajtuar artistët si dekor, si sfond elektoral apo si zëra që duhen përdorur vetëm kur duhen vota. Artistët nuk u bënë “kacidhe” nga vetja. Ata u shtynë në atë pozicion nga një sistem politik që nuk ndërton institucione të forta për artin, por kërkon gjithmonë nënshtrim dhe rreshtim.

Por në debat pati edhe një moment shumë të fortë, ndoshta më të sinqertin e gjithë bisedës. Në një reagim spontan, Ema Andrea artikuloi një të vërtetë që shumë njerëz e mendojnë, por rrallë e thonë publikisht:
“Ju kemi paguar ju deputetë që të bëni ato ligjet. Bëjini ato fucking-ligje dhe mos i kërkoni gjithmonë shoqërisë të ngrihet.”

Në thelb, ajo po thoshte diçka shumë më të madhe se një irritim momental. Në një vend ku politikanët gëzojnë privilegje, paga dhe pushtet që ua jep vetë shoqëria, është paradoksale që përgjegjësia t’i kthehet gjithmonë qytetarëve. Politika kërkon vazhdimisht që shoqëria të reagojë, të protestojë, të ngrihet, ndërkohë që vetë ka në dorë instrumentin më të fortë të ndryshimit: ligjin.

Mendimtarët kanë thënë gjithmonë se arti dhe letërsia janë forma më e lartë e lirisë së shpirtit. Ndërsa Friedrich Nietzsche (Niçe) shkruante se “pa artin, e vërteta do të ishte e padurueshme.” Pikërisht për këtë arsye, arti nuk është një sektor që politika mund ta thërrasë për t’i kërkuar llogari apo për ta vënë në rresht. Përkundrazi, nëse sot arti dhe artistët ndihen të keqkuptuar apo të nënvlerësuar, përgjegjësia bie para së gjithash mbi politikën, e cila për vite me radhë ka tentuar ta trajtojë kulturën si dekor të pushtetit dhe jo si një hapësirë të lirë të mendimit.

Në këtë kuptim, debati i djeshëm nuk ishte thjesht një përplasje televizive. Ai ishte pasqyra e një problemi shumë më të madh: raportit të deformuar mes politikës dhe kulturës në Shqipëri.
Në fund të fundit, një shoqëri që nuk respekton artistët e saj nuk varfëron vetëm kulturën; ajo varfëron shpirtin e vet.

spot_img

Latest articles

Related articles