Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se vendi i tij nuk do të përfshihet në konfliktin mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, por theksoi se Ankaraja është e përgatitur për çdo kërcënim ndaj sigurisë së saj.
Sipas tij, Turqia ka kapur një raketë të tretë balistike iraniane të lëshuar drejt territorit turk.
Duke folur për situatën e sigurisë, Erdogan tha se autoritetet turke po marrin masa parandaluese për mbrojtjen e hapësirës ajrore. “Po marrim të gjitha masat parandaluese kundër çdo kërcënimi ndaj hapësirës sonë ajrore, siç bëmë edhe mbrëmë”, u shpreh tha Erdogan në një darkë iftari në Stamboll.
Presidenti turk theksoi se prioriteti kryesor i Ankarasë është të qëndrojë jashtë përshkallëzimit të konfliktit rajonal.
“Prioriteti ynë kryesor është ta mbajmë vendin tonë larg këtij ferri. Largimi i vendit tonë nga kjo vatër zjarri është përparësia jonë më e lartë”, deklaroi Erdogan, duke shtuar se Turqia është e gatshme të përballet me çdo lloj kërcënimi.
Presidenti turk gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes mes tensioneve sektare dhe etnike që po nxiten në mes të sulmeve ndaj Iranit.
Ai tha se Turqia vepron me “kujdes të madh përballë komploteve, kurtheve dhe provokimeve që synojnë ta tërheqin vendin tonë në luftë”.
Duke iu referuar akteve nga Izraeli në Gaza, Erdogan tha se “disa vende mbyllin sytë ndaj shtypjes dhe gjenocidit, ndërsa disa të tjera mbështesin aktorë gjenocidal si Izraeli”.
“Në një botë që po vuan nga një eklips moral, ne, si Turqi, së bashku po përpiqemi të jemi ndërgjegjja e njerëzimit”, tha presidenti turk.
“Vuajtjet e fëmijëve jetimë nga Gaza dhe Siria tërhoqën më pak vëmendje sesa një pinguin i vetmuar, për shkak të ndërgjegjes së rreme të botës virtuale”, shtoi ai



