“Shtetet e Bashkuara të mos pakësojnë numrin e ushtarëve në Kosovë”. Ishte kjo thirrja e qartë dhe e drejtpërdrejtë nga kongresmenë dhe senatorë, republikanë e demokratë, ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, përmes një letre drejtuar atij. Ata shprehin shqetësim të thellë mbi raportimet se administrata e presidentit Donald Trump po shqyrton të tërheqë një pjesë të ushtarëve nga misioni i KFOR-it.
“Në një kohë të brishtësisë së shtuar politike dhe të rritjes së ndikimit dashakeq në Ballkanin Perëndimor, një reduktim i parakohshëm i pranisë amerikane rrezikon të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin më të gjerë, veçanërisht Bosnjë dhe Hercegovinën. Ju bëjmë thirrje të ruani nivelin e forcave amerikane për të mbrojtur interesat e sigurisë kombëtare të ShBA-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në letrën e 12 Kongresmenëve dhe Senatorëve.
Ligjvënësit amerikanë theksojnë se pakësimi i personelit ushtarak do të ndikonte dialogun Prishtinë-Beograd dhe do të krijonte mundësi për aktorë të rrëzikshëm për të destabilizuar rajonin.
“Mbi të gjitha, Rusia ka bllokuar aktivisht njohjen e pavarësisë së Kosovës. Duke marrë shkas nga kjo, inteligjenca tregon se nuk ka ndryshim në ndikimin malinj të Rusisë në rajon, prandaj ne nuk duhet të ulim numrin e trupave të SHBA dhe të krijojmë hapësirë shtesë për aktivitetin e Rusisë”, vijon letra e 12 Kongresmenëve dhe Senatorëve.
Kjo thirrje vjen pas deklaratave të shumta të presidentit amerikan, Donald Trump, se vendosi paqen mes Kosovës dhe Serbisë. Letra e kongresmenëve dhe senatorëve është raportuar nga media të shumta, përfshirë The Hill. Një zyrtar i NATO-s i tha kësaj gazete se nuk ka ndryshime të rëndësishme që po merren në konsideratë për KFOR-in. SHBA-të aktualisht kanë pothuajse 600 trupa të vendosura në misionin paqeruajtës



