Plot një dekadë pas nisjes së një skeme gjigande mashtrimi me dhënien e kredive dhe mbledhjen e borxheve të këqija të bankave, Prokuroria e Posaçme ka mbylli hetimet duke vënë nën akuzë organizatorët e kompanive private që krijuan skemën dhe një pjesë të ndihmësve të tyre, por pa gjetur asnjë përgjegjësi nga institucionet që mbyllën sytë dhe lejuan lulëzimin e sofistikimin e saj përgjatë viteve.
Pas dërgimit në Gjykatën e Posaçme, gjyqtarja Fjorela Davidhi vendosi të kthejë për plotësim hetimesh në SPAK çështjen penale në ngarkim të 16 individëve dhe 4 kompanive, të akuzuara për mashtrime me pasoja të rënda përmes skemave të mikrokredisë dhe mbledhjes së detyrimeve financiare. Gjykata la dhe 5 muaj të tjerë afat që prokurori që ka në duar këtë çështje, Edvin Kondili të kryejë hetime të tjera.
Por çfarë është hetuar deri më sot?
Më 27 nëntor 2024, Prokuroria e Tiranës dërgon për kompetencë në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar çështjen e skemës së mashtrimit me kreditë, aferë e cila shkaktoi dëme financiare në masën 37 milion euro, tjetërsoi 1700 pasuri të patundshme përmes ankandeve fiktive dhe persekutoi mbi 30 mijë familje.
Më 28 maj të vitit 2014 krijohet shoqëria “Micro Credit Albania” me objekt veprimtarinë e kredidhënies dhe ortake Elda Ibron e cila mbante dhe postin e administratores. Me licencën nr. 30, datë 27.02.2015, MCA është licencuar si institucion financiar i mikro-kredisë (që mund të jepte kredi deri në shumën 600,000 lekë), ndërsa më datë 09.05.2016, me licencën nr. 38, licensohet si institucion financiar jobankë, për të ushtruar veprimtari në të gjitha format e kredidhënies. Ndërsa kishte bërë kërkesë dhe vijonte procedurat për të marrë licencë, në gusht 2015 MCA lidh marrëveshje me bankën Pro Credit për blerjen e detyrimeve me vonesë, pjesë e kredive të pashlyera.
Pak a shumë në të njëjtën periudhë themelohet kompania “Shërbimi Përmbarimor FS” në pronësi të Aldo Dakës, punonjës i kompanisë tjetër përmbarimore ZIG në pronësi të Arben Meskutit. Meskuti e më pas mamaja e tij kanë administruar dy shoqëri të tjera përmbarimore me emrin STAR dhe FLASH përgjatë kësaj periudhe. Ndër vite administratorët dhe ortakët e shoqërive përmbarimore FS dhe Flash, madje edhe përmbaruesit e punësuar në këtë shoqëri, rezultojnë të jenë punonjës të shoqërisë permbarimore Zig, në pronësi të Arben Meskutit.
Në shtator të vitit 2016 bashkëshorti i Elda Ibros, i ndjeri Olsi Ibro ble kompaninë ligjore ADCA, firmë të cilës i hiqet licenca nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Kompania ndryshon më pas aktivitetin e saj në “zbatimin e punëve të të tjerëve” dhe pronësia më pas kalon te Arben Meskuti, të cilit i bashkohet një tjetër ortak, Indrit Çuberi kunati i Arbenit ndërsa motra e tij Ernela Çuberi me licencë notereje ndihmonte në zbatimin e skemës së ekzekutimit të borxheve të këqija që bliheshin nga bankat ose institucionet financiare.
Në vitin 2019 Arben Meskuti ble dhe institucionin financiar Final me një vlerë 250 mijë euro, Final është përdorur nga ky grup për t’i shkuar në ndihmë skemës së abuzimit duke krijuar kushte për të shtrënguar kreditorët që të marrin kredi pranë Final ose MCA me interesa të larta, ndërsa përmbaruesit bashkë me këto shoqëri kanë rritur disa fish vlerën e detyrimit mbi atë që kishte nxjerrë gjykata në titullin e ekzekutimit me qëllim zhvatjen e qytetarëve dhe rritjen e fitimeve të tyre. Në fund skema përfundon duke tjetërsuar pasuritë e patundshme të qindra njerzve përmes ankandeve fiktive, duke i ulur vlerën dhe regjistruar në fund në emër të MCA dhe Final.
Hetimet e prokurorisë së Tiranës dhe më pas të miratuara nga Prokuroria e Posaçme kanë evidentuar se blerja e Final është bërë për të shmangur rreziqet që mund të vinin nga organet ligjzbatuse për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve ndaj MCA-së dhe zyrave të përmbarimit.
“Nga hetimi është provuar se, shoqëria FINAL ka ushtruar aktivitetin në të njëjtën qendër me shoqëritë MCA dhe ADCA. Të dhënat e portofolit të kredive të debitorëve në vonesë, të FINAL janë hedhur në të njëjtin server ku ndodheshin të dhënat e debitorëve të shoqërisë MCA. Sipas edhe kontrollit të ushtruar nga “Banka e Shqipërisë” në vitin 2020, rezulton se stafi i shoqërisë FINAL përbëhet vetëm nga 3 persona, ku renditen: administrator dhe dy punonjëse të financës. Banka e Shqipërisë ka konstatuar se në periudhën 2019-2020, nga 10052 klientë të cilët kishin kryer pagesa tek shoqëria “Final”, 8074 prej tyre janë kredituar nga MCA ndërsa shuma e kredive të akorduara nga MCA është në vlerën 1 milion euro”, thuhet në dosjen e SPAK.
Por si nisi e gjithë skema?
Ishte viti 2015 kur autoritetet publike vendosën të zgjidhin ngërçin e krijuar prej vitesh në sektorin financiar. Niveli i kredive me probleme kishte kaluar 25% të totalit të portofolit, shifër shumë e lartë ku 1 në 4 lekë të dhëna hua nuk ktheheshin.
Bankat vijonin politikat e tyre shtrënguese në dhënien e kredive për konsumatorët dhe bizneset, masë e cila shtrëngon kushtet për rritje ekonomike dhe rëndon xhepat e kredimarrësve me interesa. Situata kërkonte zgjidhje.
Shqipëria ishte një ndër vendet me nivelin më të lartë të kredive të këqija më Europë, situatë e krijuar dhe për shkak të favorizimeve që bankat kishin bërë për një dorë biznesesh. Në 1 miliard euro kredi të këqija, 65% e kësaj shume ishin kredi e pakthyer nga 35 korporata të mëdha, pjesa e mbetur ndahej në qindra mijëra debitorë të vegjël.
Pa bërë një analizë të saktë për përgjegjësinë që vetë sistemi bankar kishte në krijimin e kësaj situate dhe pa kërkuar përgjegjësi për të shkuarën ku pagesat e buxhetit të shtetit gati falimentuan kompanitë më të mëdha në vend, duke shkaktuar një zinxhir borxhesh te furnitorët, kontraktorët dhe gjithë sistemin, synimi ishte mbyllja e shpejtë e problemeve të krijuara.
Dhe si u bë mbyllja? Duke fshirë nga bilancet një pjesë të kredive të këqija, në kurriz të kapitalit të aksionerëve të bankave, të cilët për shkak të sistemit të sëmurë që ngritën vetë, nuk folën e as u ankuan. Disa me ristrukturime, disa me mbyllje syri e disa të tjerë- peshq të vegjël, u bënë preja e peshkaqenëve të mikrokredive. Licencimi i institucioneve të mbledhjes së borxheve nuk ktheu para te bankat që ishin debitore, të cilat shitën kreditë për shuma të papërfillshme, por pasuroi disa kompani që futën në rrjetën e tyre mijëra qytetarë.
Më 18 gusht të vitit 2015 dhe 29 shtator të po këtij viti, institucioni financiar Micro Credit Albania (MCA) ble dy portofolë të kredive të këqija të bankës Pro Credit dhe institucionit financiar Vision Fund me vlerë 21.8 milion euro. Për këto detyrime u paguan 637 mijë euro, ose 2.9% të shumës së borxhit.
Në këtë periudhë MCA nuk kishte licencë për blerjen e borxheve, por kishte marrë licencën më 27 shkurt të 2015-s si institucion financiar në fushën e kredidhënies. Ligjërisht dhe në bazë të rregulloreve të Bankës së Shqipërisë, ky ishte aktiviteti i vetëm që MCA duhet të ushtronte.
Situata ndryshoi në mars të vitit 2016, ku Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do të miratonte një rregullore të re, e cila lejoi që blerja e kredive të konsiderohej një aktivitet i kredidhënies.
Kjo do të ishte pika e nisjes që MCA të blinte dhjetëra miliona euro kredi të këqija dhe bashkë me të dhe disa institucione financiare që u licencuan në mbledhjen e borxheve.
Sipas një raporti të ekzaminimit të shoqërisë MCA që ka kryer grupi i Departamentit të Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë, deri në vitin 2020, MCA rezultonte të kishte blerë një portofol kredish me vlerë 85 milion euro duke paguar 5.2 milion euro. Shuma e paguar për këto të drejta arkëtimi ishte sa 6.2% e vlerës së huave në banka, por të ardhurat e përftuara për MCA deri në vitin 2020 ishin 10.7 milion euro, gati dyfishi i shumës së paguar.
Inspektimi konstatoi se kishte raste ku shumat e detyrimit shtoheshin duke vendosur penalitete të padrejta, ndërsa linja e kredive të ristrukturuara të cilat ofronin pagesën e detyrimit me këste, kishin interesa të larta që shkonin deri në 25%, ose mbi 700% të vlerës së detyrimit real.
Situata e krijuar pas rezultateve të inspektimit ku të gjithë treguesit e riskut që ishin objekt kontrolli rezultuan në nivelin më të lartë (4), bëri që Banka e Shqipërisë të inicionte vendosjen e një tavani sa i takon rritjes së shumës së borxhit, duke mos kaluar mbi 30% të vlerës së mbetur pa paguar dhe detyronte shoqëritë e mikrokreditit që të zbatonin normën efektive të interesit.
Në një tjetër hetim Prokuroria e Tiranës dyshon për implikimin e përgjegjësive institucionale të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në lidhje me veprimet e marra për licensimin e subjektit MCA dhe lejimin e skemës së mashtrimit. Hetimet të cilat janë dërguar për t’u thelluar nga SPAK ngrenë dyshimet se me anë të veprimeve konkrete dhe mosveprimeve guvernatori Sejko ka lehtësuar veprimtarinë e subjektit MCA në kundërshtim me ligjin, duke nisur që me licensimin e saj, pasi në fakt do të duhet të kishte marrë masa penalizuese kur MCA bleu kreditë, kur kjo ndalohej, raporton emisioni “Kronos” në MCN TV.
Prokuroria ka konstatuar se jo vetëm nuk janë marrë masa penalizuese ndaj këtij subjekti, por janë krijuar kushtet që subjekti të merrte licenca më të rëndësishme siç ishte licenca për dhënien e kredisë. Prokuroria citon në relacionin shpjegues të hetimeve se është gjetur dhe një email i dërguar në adresë të guvernatorit Sejko nga pronari i kompanisë MCA, pas ushtrimit të auditit nga Departamenti i Mbikëqyrjes së bankës qendrore, ku i kërkohet që masat e marra ndaj subjektit të mos bllokojnë aktivitetin e tij.
“Në datën 14 dhjetor 2022, ortaku i subjektit Micro Credit Albania i është drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me një mesazh elektronik, ku parashtrohen përpjekjet e kryera për realizimin e rekomandimeve, si dhe kërkohet që të merren në konsideratë masa alternative, të tilla që të mos bllokojnë tërësisht aktivitetin e subjektit”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë së Tiranës.
Prokuroria vëren se Banka e Shqipërisë nuk ka marrë asnjë hap konkret për të monitoruar blerjen e kredive dhe mënyrën e ekzekutimit të tyre dhe pse kishte vite që këto problematika ishin denoncuar nga qytetarët. Sipas organit të akuzës, në kohën që mijëra qytetarë kishin rënë pre e abuzimeve, autoriteti i vetëm i që mund të ndalte subjektin ishte banka qendrore dhe guvernatori, si institucion që jep dhe revokon licencat.
Një tjetër pikë e dyshimtë ishte miratimi i shitjes së kompanisë Final te Arben Meskuti ku Banka e Shqipërisë ka dhënë miratimin paraprak, edhe pse kishte me dhjetra denoncime të qytetarëve për praktikat abuzive të institucioni financiar MCA në bashkëpunim me zyrat përmbarimore të lidhura me Arben Meskutin.
Banka e Shqipërisë pezulloi licencën e MCA në vitin 2022 për aktivitetin e kredidhënies, por jo për atë të mbledhjes së borxheve çka i hapi rrugë një tjetër skeme të madhe abuzimi me ankandet fiktive të shitjes së pronave të qytetarëve. Më 6 shkurt 2024 Banka Qendrore pezullon dhe licencën e mbledhjes dhe ristrukturimit të kredive, 4 muaj përpara se kësaj të drejte t’i mbaronte vlefshmëria në qershor 2024, ndërsa revokon licencat për të dy subjektet Final dhe MCA në maj 2024 pas valës së arrestimeve që nisi për këtë skemë Prokuroria e Tiranës.
Në hetimet e SPAK ku hetohet për grup të strukturuar kriminal, nuk janë përfshirë përgjegjësitë institucionale të Bankës së Shqipërisë, për këtë pjesë është një tjetër çështje e hapur që po e heton një tjetër prokuror.
Për të shtrënguar debitorët që të paguanin kredinë në vlerën e rritur, kërcënimi nga ky grupi kriminal bëhej duke shantazhuar me marrjen e pronave të tyre. Ky ishte kulmi i abuzimit të skemës i cili lulëzoi gjatë vitit 2023 dhe muajve të parë të vitit 2024. Veprimet përmbarimore janë kryer nga përmbaruesit Rigels Bejko dhe Altin Vako, ndërsa Saimir Dogjani, Astrit Kaptelli dhe Rrok Deda janë angazhuar me “heqje të sekuestrove konservative” nga bankat dhe kadastra të pronave dhe llogarive të sekuestruara.
Vlerësimi i pasurive është bërë vetëm nga një ekspert vlerësues Yljana Sejfo, veprime të pamundura për tu bërë dhe duke ulur dhe zhvlerësuar vlerën e pasurive në disa fish. Pas uljes së vlerës me aktin e ekspertimit prona dilte në ankand, ku pala debitore nuk njoftohej, ankandi dështonte dhe zhvillohej një procedurë e dytë e cila gjithashtu dështonte, duke çuar vlerën e pronës në ankandin e fundit në masën 10% të saj, e cila blihej dhe regjistrohej në emër të MCA. Janë 1656 pasuri që kanë kaluar në ankande fiktive nga qytetarët te MCA dhe 54 që kanë kaluar te FINAL.
Ja se çfarë ka dëshmuar një punonjëse e MCA për këtë proces:
Për kohën që kam kryer detyrën e asistencës ligjore unë beja njoftimin për ekzekutimin vullnetar të detyrimit, urdhër për vënie sekuestro drejtuar ASHK, urdhër për vënie sekuestro drejtuar bankave të nivelit të dytë, të dhëna këto që i gjeneronte sistemi si dhe gjithë dokumentacionin që përmban një procedurë përmbarimore. Planin ditor të punës na i dërgonte çdo dite Olsi me email. Çdo dokument kishte një format të caktuar dhe ne thjesht plotësonim të dhënat që i përkisnin një pasurie konkrete. Në mënyrë kronologjike plotësohej i gjithë dokumentacioni edhe për ankandin e dytë dhe të tretë. Pra procedura ishte e njëjtë. Në vazhdim gjithmonë sipas urdhërimeve që vinin në email nga Olsi Ibro, plotësoja edhe vendimet për kalimin e pronësisë. Tek procesverbalet e ankandit ishte shënuar paraprakisht që debitori ishte në mungesë. Në emër të kreditorit ishte vendosur paraprakisht kreditori që përfaqësohej nga avokati Alban Kote. Komisioni i ankandit përbëhej nga Rigels Bejko dhe vëzhgues Endri Myftari, emra këta të cilët ishin fiksuar në draft. Të gjithë procesverbalet ishin njësoj. Pasi mbaronte e gjithë procedura e ankandit, dokumentacioni me sa di unë merrej në dorëzim nga zyra e ekonomistes dhe në dijeninë time ato bënin aplikimin për regjistrimin e pronës në ASHK në emër të MCA dhe FINAL.
Kjo është dëshmia e një qytetari të cilit për një debi të mbetur në vlerën 880 EURO i është marrë shtëpia 3 katëshe me sipërfaqe 300 m2 dhe 500 m2 truall, ndërsa i është sekuestruar automjeti dhe llogaritë bankare.
Rreth viteve 2008-2009 së bashku me bashkëshorten time kemi marë një kredi në shumën 500.000 lekë të rinj. Këtë kredi e kemi marrë për të blerë orendi shtëpiake. Në atë periudhë unë punoja në një shoqëri ndërtimi, ndërsa bashkëshortja ka qënë e papunë. Këtë kredi e kam shlyer rregullisht duke shlyer shumën prej 650.000 lekë të rinj. Mesa më kujtohet kam mbetur pa paguar vetëm dy këste në shumën 55.000 lekë të rinj. Në dijen i time edhe këtë shumë e kam paguar por nuk disponoj dokumentacion. Në muajin Tetor 2023, vëllain tim e ka telefonuar një miku i tij duke i thënë që në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë, ishte afishuar prona e ime. Ai ja ka dërguar vëllait me foto këtë afishim. Pasi kam marë këtë dokument në fund telefon dhe kam lënë takim më përmbaruesin gjyqësor Rigels Bejko. Ky i fundit më ka thënë nga ana ime nuk ke më probleme dhe unë ia kam kthyer përsëri praktikën shoqërsië “MCA”. Ai në praninë time ka kontaktuar me punonjës të ASHK-së Vlorë dhe më ka thënë që prona ime është e pastër dhe nuk ka asnjë sekuestro dhe në sistem del e lirë e pabllokuar. U njoha me vendimin e mësipërm, dhe dua të shpjegoj se nuk kam patur asnjë informacion që kjo pasuri ka kaluar në emër të MCA. Është hera e parë që e shikoj.
Edhe pse janë zhvilluar procedura të dyshimta ankandi, asnjë nga drejtuesit apo punonjësit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në këtë periudhë nuk është pyetur nga SPAK apo të jetë vënë në dyshim se përse nuk kanë verifikuar procedurën se si është zhvilluar ekzekutimi i pronës nga ana e përmbaruesit duke u vendosur sekuestro në masë apo tjetërsime në dhjetra pasuri, të pamundura për tu zhvilluar fizikisht brenda ditës.
Pikëpyetje të tjera për mungesën e përgjegjësitë institucionale në këtë hetim dalin dhe sa i takon rolit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, e cila administron të dhënat personale.
Dosja e dërguar në Prokurorinë e Posaçme nga grupi i prokurorëve të Tiranës dhe hetimi i zhvilluar nga SPAK nuk jep përgjigje se ku ishin siguruar të dhënat personale të debitorëve dhe rrethit të tyre familjar, të cilëve në bllok u ushtrohej presion dhe telefonata të shumta nga punonjësit e kompanisë MCA. Në këtë skedul të një debitori (print screen) është shënuar emri i tij, bashkëshortja, kunata, motra, vëllai dhe pjesa më e madhe e rrethit të të afërmve të tij, bashkë me adresat e shtëpisë, vendin e punës dhe pasuritë. Jo vetëm debitori, por edhe të afërmit e tyre kërcënoheshin me sekuestro dhe marrje të pasurisë.
Të dhënat personale, numrat e telefonit, të tyre apo të familjarëve të debitorëve: prindër, femijë, vellezër, motra dhe bashkëshortët e tyre dhe të dhëna të gjendjes civile, punësimi etj., janë gjetur dhe përdorur në mënyrë abuzive nga rrethi i subjekteve të kallëzuar, konkretisht nga punonjësit dhe drejtuesit e shoqërive “Micro Credit Albania”, ADCA, dhe më pas edhe nga Shoqëria “Final”. Qytetarët dhe familjarët e tyre merreshin në telefon dhe kërcënoheshin se duhet të paguanin detyrimin përndryshe do t’u sekuestrohej pasuria e luajtëshme dhe e paluajtshme. Gjithashtu qytetarët kanë marrë në vazhdimësi njoftime shkresore po të kësaj natyre, pa nënshkrime dhe logo përmbaruesi.
Në disa raste hetimet kanë gjetur se bllokimet e llogarive bankare nuk janë bërë vetëm për debitorin, por për të gjithë familjen, një procedurë tërësisht jo ligjore jo vetëm sa i takon respektimit të minimumit jetik, por dhe bllokimit të llogarive të personave që nuk janë debitorë e që nuk kanë patur marrëdhënie debie me subjektin që ka dhënë kredinë.
Bllokimet janë bërë në masë, përmes një sistemi që dërgonte me mijëra kërkesa brenda ditës, të cilat zbatoheshin nga punonjësit e bankave të nivelit të dytë pa ngritur dyshime për këto procedura, pa verifikuar debitorin dhe duke mbajtur jashtë afateve ligjore të bllokuara llogaritë. SPAK nuk ka gjetur asnjë përgjegjës as sa i takon implikimeve që kanë patur bankat e nivelit të dytë.
Qytetarët janë ankuar se para sekuestrimit të llogarive të tyre bankare apo pasurive, ata dhe gjithë rrethi familjar i tyrekanë marrë telefonata të shumta deri përndjekëse nga persona që prezantoheshin si përfaqësues të shoqërisë ADCA, kanë marrë në vazhdimësi njoftime shkresore po të kësaj natyre, pa nënshkrime dhe logo përmbaruesi. Një numër tepër i gjerë familjarësh merreshin ne telefon edhe pse ata nuk kanë qenë kredimarrës, garantor apo dorëzanës në kreditë e blera nga MCA apo Final. Qytetarët janë imponuar që përmes llogarive të sekuestruara bankare vetëm në bankën BKT më shumë se 11,000 llogari bankare të sekuestruara vitin e fundit, sidomos llogari page (të cilat janë mbajtur pa afat të sekuestrura), apo përmes sekuestrimit të pronave të paluajtshme, pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme, janë shtrënguar për të marrë kredi të reja.
Të gjendur përballë bllokimit të çdo mënyre jetese, qytetarët detyroheshin të hynin në marrëveshje të re kredie me institucionet financiare MCA ose Final, ku shembujt e rritjes së detyrimit me disa herë ishin me mijëra. Në disa raste që citojnë hetimet, qytetarët janë detyruar të paguanin disafish më shumë dhe sërish të rezultonin debitorë në regjistrin e kredive të këqija.
Një nga rastet është i një zonje e cila për 7 milion lekë të vjetra kredi të marrë, pagoi në fund 20 milion lekë. Në raste të tjera, punonjësit shfrytëzonin padijen e rrethit familjar të debitorëve, për t’i përfshirë dhe ata në një zinxhir borxhi nga i cili nuk kanë arritur të dalin akoma dhe sot. Ja se çfarë ka deklaruar mamaja e një debitori.
Në vitin 2008, djali im ka marrë një overdraft te “Tirana Bank” në vlerën 55.000 lekë, gjë për të cilën unë nuk kisha asnjë dijeni. Ai në atë kohë punonte si shpërndarës picash pranë piceri “Era”. Pas disa vitesh djali im u largua për në Angli për një jetë më të mirë. Në vitin 2019 mua më ka ardhur një zarf me postë nga shoqëria MCA dhe ADCA ku më thuhej se duhet të paguaja një detyrim prej 227.000 lekësh. Në zarf kishte dy letra përmbarimore dhe një numër celular dhe pasi i morra në telefon më thanë që duhet të shkoja t’i takoja te zyrat. Mezi e gjeta si adresë sepse nuk kishte asnjë tabelë dhe kur shkova atje kam takuar personin me emrin Indrit, i cili më tha se duhet ta paguaja detyrimin e djalit sepse ndryshe ai do të futej në burg kur të kthehej nga Anglia dhe do të kishte shumë probleme. I thashë se unë isha në gjendje të rënduar ekonomike dhe nuk kisha mundësi paguese për një shumë të tillë.
Ai më tha se duhej të merrja një kredi tjetër për ta larë borxhin sepse nëse nuk do i paguaja, djali do të kishte shumë probleme dhe kredia do të shkonte disa herë më shumë. E gjendur në këtë situatë unë u tremba shumë dhe pasi kam bërë një debat të madh me burrin tim, ku ju luta që të shkonim ta mbyllnim këtë punë për hatër të djalit shkova firmosa kredinë. Kam firmosur një kontratë kredie në datë 25.04.2019 në shumën 227.300 lekë. Në atë kohë kam qenë në gjendje shumë të rënduar shëndetësore sepse kam bërë operacionin e parë në gji dhe isha totalisht e pamundur për të lëvizur dhe te zyrat e shoqërisë MCA kam shkuar duke u zvarritur nga lodhja trupore.
Pas këtij momenti unë fillova të paguaj nga 4000 lekë muaj për muaj si këst mujor. E pagova kredinë edhe pse gjatë kësaj periudhe kam vuajtur shumë pasi jam operuar 3 herë në gji dhe në stomak dhe kam marrë dhe ushqime me borxhe vetëm që të shlyeja detyrimin e kredisë”.
Sinjalizimet e para mbi abuzimet që ndodhnin në emër të mbledhjes së borxheve nga subjekti MCA kishin shkuar që në vitin 2018 në Ministrinë e Drejtësisë. Ankesa të shumta të qytetarëve tregonin raste se si pronat e tyre ishte vendosur nën sekuestro dhe nuk lejohej shitja apo lënia koletereal, po të mos shlyhej debia bashkë me kamata ose nëse nuk lidhej një kontratë kredie me subjektin MCA.
Ministria e Drejtësisë vendosi të ngrejë një grup pune për të shqyrtuar veprimet e përmbaruesve gjyqësorë privatë, kur mëngjesin e datës 28 tetor 2019 disa persona të paidentifikuar shkarkuan 104 thasë plehrash me ngjyrë të zezë në hollin e institucionit të mbushura me dosje përmbarimoret. Shkarkimet u bënë nga 3 automjete dhe një nga shoferët që u identifikua, Gentian Kamberi, deklaroi se dosjet nuk ishin të vetat por i kishin thënë t’i shkarkonte aty.
Pas nisjes së verifikimeve u konstatua se dosjet u takonin përmbaruesve me licencë të hequr Arben Meskuti dhe Aldo Daka dhe disa të tjerëve që punonin në “Shërbimin Përmbarimor Zig” dhe “STAR” sot me emër të ndryshuar ”FS”. Zyrat përmbarimore bashkëpunonin me institucionin financiar MCA.
Grupi i Punës kontaktoi me bankat e nivelit të dytë, kompaninë e shpërndarjes së energjisë OSHEE, drejtorinë e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Policinë e Shtetit, Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe Agjencinë e Kadastrës, nga ku u gjet se mbeteshin dhe 4944 çështje përmbarimore të padorëzuara të shërbimit Zig, STAR dhe FLASH. Gjithashtu edhe materialet e thasëve ishin fotokopje dhe jo kopje origjinale siç është detyrimi për t’u dorëzuar pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Nga hetimi administrativ u gjet se kompania MCA ushtronte presion ndaj kreditorëve duke i shtrënguar marrjen e kredive pranë saj me interesa të larta. pas këtij konstatimi ministrja Etilda Gjonaj dërgon në vitin 2020 një kallëzim 700 faqe në prokurorinë e Tiranës, pasi heq dhe licencat e përmbauruesve të përfshirë në këtë skemë.
“Të gjithë përmbaruesit që kanë aplikuar këtë tarifë në masën 10% më shumë se detyrimi real që ekzekutonin, vlerësohet se kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Ndërsa përfituesit e këtyre aplikimeve në mashtrim të ligjit dhe mijëra qytetarëve, përfaqësuesit apo ortakët e shoqërive “Shërbimi Përmbarimor FS” dhe institucionit financiar jobankë Micro Credit Albania vlerësohet se kanë konsumuar veprën penale të mashtrimit të kryer në bashkëpunim”, thuhet në kallëzimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Më 23 maj, Prokuroria e Tiranës lëshoi urdhër arreste ndaj 9 personave të përfshirë në skemën e abuzimit me mikrokreditë, në qendër të së cilave gjenden institucionet financiare Micro Credit Albania dhe Final, zyra ligjore ADCA dhe disa shërbime përmbarimore.
Sipas një kallëzimi të ri penal të Ministrisë së Drejtësisë në Prokurorinë e Tiranës që mban datën 31 maj 2024, hetimet ndaj kësaj skeme masive të abuzimit ishin të vonuara, të pamjaftueshme dhe lanë jashtë një grup përmbaruesish gjyqësorë, të cilët vazhduan praktikat e bllokimit të pasurive edhe disa vite pas nisjes së hetimeve.
Në letrën drejtuar Prokurorisë së Tiranës, ministri Ulsi Manja kujton se edhe pse paraardhësja e saj në detyrë, Etilda Gjonaj e ka kallëzuar skemën që në vitin 2020, abuzimet jo vetëm që nuk u ndalën, por u sofistikuan edhe më tej. Në një tjetër të depozituar në vitin 2024 Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja kërkoi që prokuroria të hedhë dritë mbi aktivitetin e 14 personave të tjerë, 4 subjekteve tregtare dhe 2 kompanive në fushën e ndërtimit, të cilët dyshohet gjithashtu se janë përfshirë në skemën e abuzimit edhe pse çështja ishte duke u hetuar.
Dyshohet se pas shpalljes së ankandeve për shitjen e pasurive të paluajtshme, këto pasuri të nxjerra në ankande ku pala debitore nuk kishte dijeni për zhvillimin e tyre, me një vlerësim të dyshuar fiktiv të pronës, është propozuar më pas marrja në pronësi të kreditorit MCA ose Final kundrejt një vlere të papërfillshme monetare dhe mbi të gjitha për vlera detyrimesh të pretenduara.
Pavarësisht se skandali me mikrokreditë u zbulua dhe u denoncua të paktën që nga viti 2020, skema jo vetëm që nuk u bllokua, por u zgjerua dhe sofistikua, duke rënduar edhe më shumë pozitat e mijëra viktimave në shumë zona të vendit.
Të dhënat tregojnë se ndërsa një sërë institucionesh bënë një sy qorr në pritje të rezultatit të hetimeve, Prokuroria e Posaçme dhe ajo e Tiranës u përfshinë një një konflikt kompetencash – çka solli zvarritje të procedimeve dhe arrestime të pjesshme të personave të përfshirë vetëm katër vite më pas.
Në të njëjtën kohë, mijëra urdhra të reja sekuestroje u ekzekutuan nga një grup përmbaruesish privatë në dëm të qytetarëve kredimarrës.
Procedimi penal me nr. 2123 u hetua nga prokurorët Arben Agovi dhe Ndini Tavani, të cilën konstatuan moskompetencë në vitin 2021 dhe e përcollën dosjen për në SPAK. Por Prokuroria e Posaçme nuk ra dakord dhe e ktheu sërish dosjen në Prokurorinë e Tiranës, ku grupi i prokurorëve të Tiranës të cilit iu shtua dhe Antoneta Sevdari e përcjell sërish në SPAK. SPAK e merr në administrim materialin dhe ka vendosur mbylljen e çështjes duke kërkuar përgjegjësi për të njëjtët persona që kishte sugjeruar Prokuroria e Tiranës, një pjesë e të cilëve të hetuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Materiali hetimor i dorëzuar nga prokurori i SPAK është i njëjtë me atë të Prokurorisë së Tiranës.
Nga hetimet e zhvilluara deri tanimë, prokuroria thotë se është provuar se duke filluar nga viti 2015, i ndjeri Olsi Ibro e bashkëshortja e tij Elda Ibro; pronari i shoqërisë përmbarimore ZIG, Arben Meskuti dhe vëllai i bashkëjetueses së tij, Indrit Çuberi; ish-përmbaruesi i ZIG, Alban Kote dhe ish-punonjësit e e kësaj shoqërie, Aldo Daka e Albert Gega; të hetuarit Andis Gjoka, Vasil Bakallbashi dhe Roland Deda, të gjithë ortakë apo administratorë të shoqërive tregtare të kallëzuara, janë ndihmuar në veprimtarinë e tyre nga viti viti 2021 e në vijim nga përmbaruesit Fatos Alimadhi, Helidon Xhindi, Lefter Canaj, Rigels Bejko, Endri Myftari, Altin Vako, si dhe kanë bashkëpunuar me eksperten vlerësimit të pasurive të paluajtshme Yliana Sejfo.
Prokuroria vlerëson se këta persona së bashku kanë krijuar një grup të strukturuar kriminal, veprimtaria e të cilit ka pasur si qëllim zhvatjen e pasurisë së qytetarëve të cilët ishin debitorë në vonesë, detyrimet e të cilëve u blenë nga bankat e nivelit të dytë prej shoqërive MCA sh.p.k., në pronësi të Elda Ibros dhe Final sh.p.k, në pronësi të Meskutit.
Hetimet kanë vërtetuar se MCA ka përfituar 30 milion euro nga aplikimi i kësaj skeme dhe Final 6.8 milion euro, ndërsa 1700 pasuri të qytetarëve janë regjistruar në emër të këtyre kompanive. Nga këto të ardhura Elda Ibro dyshohet se ka përfituar 8.6 milion euro në formën e dividentit të shpërndarë, Arben Meskuti 1.4 milionë euro, ortakët e shoqërisë ADCA 3.8 milion euro, administratori Alban Kote 1.2 milionë euro vlerësuesja e pasurive Yljana Sejfo 480 mijë euro dhe qindra mijëra euro janë përfituar nga përmbaruesit privatë të vënë nën akuzë.



