Spanja ka tërhequr përfundimisht ambasadoren e saj në Izrael dhe ka ulur nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Tel Avivin.
Vendimi u mor nga qeveria në Madrid në mbledhjen e fundit të kabinetit dhe parashikon që përfaqësimi spanjoll në Izrael të zbresë në nivel të ngarkuar me punë. Masa vjen si reciprocitet pasi Izraeli kishte bërë të njëjtën gjë me ambasadën e tij në Madrid.
Ambasadorja spanjolle në Izrael, Ana Salomon, ishte thirrur për konsultime në shtator dhe që prej asaj kohe ndodhet në Spanjë.
Vendimi shënon një tjetër hap në përshkallëzimin diplomatik mes dy vendeve. Për të rikthyer marrëdhëniet në nivel të plotë diplomatik, Spanja do të duhet të emërojë një ambasador të ri dhe të marrë miratimin e autoriteteve izraelite.



