Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë tre ukrainas të akuzuar për trafikim dhe shfrytëzim personi.
Bëhet fjalë për Nazar Khamuilo-n, Mark Petrenko-n dhe Karol Oskiera-n. Nga të tre vetëm Oskiera-s nuk i është ekzekutuar masa e sigurimit arrest me burg.
Ndaj ukrainasve rëndojnë këto akuza: “Trafikimit të personave të rritur”, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 28/4, 110/a paragrafi i parë, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal.
Ndërkohë prokurorët e posaçëm kërkuan pushimin e akuzës për tre persona të tjerë që ishin pjesë e këtij procedimi penal.
Si funksiononte skema?
Më 11 nëntor 2024, në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë u paraqit një ankesë elektronike nga Ambasada e Ukrainës në Shqipëri, sipas së cilës shtetasi ukrainas, Z. M dyshohej se mbahej dhe detyrohej të punonte kundër dëshirës së tij në Vlorë. Pas verifikimeve, policia lokalizoi fillimisht një banesë me qira në lagjen “Demokracia”, ku gjeti disa shtetas ukrainas me laptopë, të cilët punonin në aplikacione të ndryshme.
Ata dërgonim mesazhe dhe linqe me anë të programeve automatike, me qëllim rekrutimin e personave të tjerë për përpunimin, transportin dhe shitjen e lëndëve narkotike në shtete të ndryshme të Europës Lindore. Është provuar se ky grup kriminal i vendosur në Shqipëri është pjesë e një grupi më të madh ndërkombëtar të trafikimit të lëndëve narkotike, i cili vepron në disa vende të ish-Bashkimit Sovjetik.
Në vendngjarje u sekuestruan pajisje elektronike dhe u konstatua se pasaportat e shumicës së personave mungonin. Hetimi zbuloi mënyrën e operimit të organizatorëve dhe të mbikëqyrësve të cilët nën presionin e dhunës dhe kërcënimeve i privonin nga mundësia për t’u larguar nga puna dhe nga Shqipëria.
Atyre i tregoheshin vazhdimisht video dhune ndaj anëtarëve të tjerë të grupit, të cilët nuk arrinin rezultate në punë. Personat e rekrutuar nuk ishin në dijeni të natyrës së vërtetë të punës dhe i nënshtroheshin testit të poligrafit në fazën e rekrutimit.
Në Vlorë u zbuluan tre ambiente ku mbaheshin në kushte banimi dhe pune personat e rekrutuar. Në total janë gjetur dhe sekuestruar 24 pasaporta të shtetasve të huaj që dyshohet se kanë punuar në këto tre ambiente për disa javë ose muaj.
Shtetasi Z.M si dhe persona të tjerë ishin rekrutuar përmes aplikacionit Telegram me premtimin për një punë zyre në Poloni. Pas një interviste dhe testit të poligrafit, të kryer në Varshavë, dërgoheshin në Shqipëri. Në Shqipëri të gjithë ishin të detyruar të përdornin pseudonime dhe mos të thërrisnin njëri-tjetrin me emrat përkatës. Hetimet arritën të identifikonin të gjithë personat që qëndronin pas çdo pseudonimi dhe më konkretisht; Nazar Khamuilo mbante pseudonimin “Kika”, Mark Petrenko ishte “E Premtja” dhe Karol Oskiera ishte “Veterineri”.
SPAK bëri me dije se për të zbuluar personat e përfshirë në rekrutimin dhe shfrytëzimin e të rinjve për t’u bërë pjesë e grupit kriminal ka ndihmuar edhe DEA amerikane.



