Elton Qyno –
Një nga paisjet elektronike më të sofistikuara dhe inteligjente në botë, tashmë është blerë nga prokuroria e Posaçme SPAK, dhe prej disa muaj një skuadër e BKH-së është duke u trajnuar nga ekspertë të fushës, për vënien e saj në shërbim operacional në teren.
Paisja me shumë funksione si përgjim, lokalizim dhe njëherësh mbledhjen e shumë të dhënave telefonike është “IMSI Catcher” dhe aktualisht ka hyrë në zyrat e SPAK, kundrejt një kontrate afro 1 milion euro që është nënshkruar me një kompani të huaj.
Prezenca e saj në SPAK është mësuar nga gazetari i Syri-t, Elton Qyno, por konfirmimi zyrtar për këtë informacion është bërë dhe nga vetë SPAK, duke pranuar se kjo aparaturë përgjuese është blerë në vitin 2025, duke mos dhënë detaje mbi identitetin e kontraktuesit dhe vlerën reale të çmimit të kësaj paisje.
Në nivel strategjik, SPAK ka siguruar financimin e dy projekteve madhore për forcimin e kapaciteteve operative dhe teknike, konkretisht:
- Prokurimin e pajisjes “IMSI Catcher”
- Modernizimin e sistemit të përgjimit përmes përditësimit në versionin më të fundit, rritjes së kapaciteteve të ruajtjes së të dhënave dhe shtimit të modulit për interceptimin e të dhënave IP.
Këto projekte, me vlerë totale 5.1 milionë euro, janë miratuar me vendimin nr. 188 të datës 9 qershor 2025 të Komitetit Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar.
Apartatura “IMSI Catcher” është blerë nga SPAK përmes një procedure tenderuese sekrete, duke e motivuar lidhur me shërbimin për mbrojtjen dhe sigurinë e rendit dhe luftën kundër Krimit të Organizuar.
Kjo paisje që është prodhuar në Izrael, ka shumë funksione operimi për përgjimin e aparateve telefonike dhe aplikacioneve të komunikimit telefonik.



