Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nxjerrë sot dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe ka shpallur zgjedhjet e reja. Osmani akuzoi se në këtë situatë e sollën vendin “njerëz të papërgjegjshëm” dhe me “qëllime të rrezikshme” duke shigjetuar hapur Albin Kurtin.
“Në përputhje me nenin 82 dhe 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës kam vendosur ta shpërndaj Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të shpallë zgjedhjet e reja pas konsultimeve të cilat do t’i mbaj me partitë politike.
Qytetarët s’kanë dashur zgjedhje, këtë situatë e ka krijuar dështimi i Kuvendit për ta kryer detyrën e tyre kushtetuese. Askush s’do duhet të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet, por këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm dhe me qëllime të rrezikshme“, tha Osmani.
“Procedura për zgjedhjen e presidentit edhe pse mund të fillojë deri 60 ditë para afati të fundit, nuk mund të shtyhet më tej por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Afati përfundimtar është i qartë, ka qenë mbrëmë në mesnatë dhe presidenti nuk mund të zgjidhet pas këtij momenti”, ka shtuar ajo



