Datacenter me një dorë, taksë teknologjie me tjetrën! Shqipëria nuk është për TIK, taksa e tarifa të fshehta

spot_img
Advertisements


Qeveria fton investitorët e mëdhenj të teknologjisë ndërkohë që taton çdo laptop, telefon dhe printer që blen qytetari shqiptar
Shqipëria po kërkon të pozicionohet si hub rajonal i teknologjisë. Projekti Durana premton të tërheqë investime të mëdha në infrastrukturën digjitale. Planet për ndërtimin e mega datacenters flasin për një vend që do të bëhet urë midis Europës dhe tregut digjital ballkanik. Ambicia është e qartë dhe e mirëpritur.
Por ndërkohë që me një dorë qeveria fton teknologjinë, me tjetrën e takson deri në elementw qesharakë.
Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 465/2023 imponon tarifë mbi importin e çdo pajisjeje elektronike, smartphones, laptopë, tabletë, servers, televizorë, printer, skaner, hard disk. Tarifa prej 0.5% mbi vlerën doganore aplikohet mbi çdo pajisje që hyn ligjërisht në vend dhe transferohet automatikisht te çmimi final që paguan konsumatori ose biznesi. E vogël në shikim të parë por e pranishme mbi çdo pajisje, mbi çdo import, mbi çdo blerje zyrtare.
Dy mesazhe që nuk pajtohen
Mesazhi i parë: Shqipëria është vend i hapur për teknologjinë, për investimet dixhitale, për ndërmarrjet e reja të sektorit.
Mesazhi i dytë: çdo pajisje teknologjike që importohet ligjërisht mbart tarifë shtesë që asnjë vend fqinj nuk e ka.
Investitori i huaj që vlerëson klimën e biznesit shqiptar nuk shikon vetëm incentivat fiskale për datacenters, shikon edhe koherencën e politikave. Dhe një shtet që tatimion teknologjinë bazike ndërkohë që fton investime teknologjike të mëdha dërgon sinjal të paqartë, në rastin më të mirë dhe kontradiktor, në rastin më të zakonshëm.
Synimi i mirë, rezultati i kundërt
VKM 465/2023 u hartua me qëllim të deklaruar mbrojtjen e të drejtave të autorit, një objektiv legjitim dhe i rëndësishëm. Por mjeti i zgjedhur nuk e arrin atë objektiv. Tarifa mbi pajisjet është trashëgimi e viteve ’80, e konceptuar kur muzika kopjohej mbi kaseta fizike. Sot, konsumi dixhital bëhet nëpërmjet Spotify, Netflix dhe YouTube, platforma që paguajnë drejtpërdrejt të drejtat e autorit për çdo përdorim. Tarifa mbi pajisjet nuk mbron artistin por dyfishon pagesën e konsumatorit.
Dhe efekti anësor është i parashikueshëm: duke e bërë kanalin zyrtar më të shtrenjtë, politika e shtyn blerësin drejt kanaleve joformale. Blerësi që zgjedh dyqanin me faturë paguan tarifën. Blerësi që zgjedh tregun informal nuk paguan asgjë. Kur ligji e ndëshkon formalitetin, nuk lufton informalitetin, e subvencionon.
Koherenca si parakusht i besueshmërisë
Ambicia për të ndërtuar Shqipërinë si destinacion të teknologjisë dhe investimeve dixhitale është e drejtë dhe e nevojshme. Por ajo kërkon koherencë, politika që flasin të njëjtën gjuhë në çdo nivel, nga datacenter-at e mëdhenj te laptopi i studentit dhe printeri i biznesit të vogël.
Kuvendi dhe qeveria duhet ta korrigjojnë. Koha për ta bërë është tani, përpara se kontradikta midis fjalëve dhe veprimeve të bëhet dëm i përhershëm për besueshmërinë e politikave shqiptare të teknologjisë.

spot_img

Latest articles

Related articles