Edi Rama: Këtë javë u zhvillua mbledhja e zgjeruar mujore e grupit parlamentar socialist ku u bë një diskutim i detajuar nga deputetët mbi ecurinë e punës në një sërë sektorësh për të cilët raportuan ministrat përkatës. Po ashtu, në mbledhjen e zgjeruar mujore të grupit, unë fola për raportet midis politikës dhe drejtësisë, në një fazë kur shumëçka pozitive është arritur, por kur shumëçka tjetër kërkon adresim dhe për të gjithë ata që janë të interesuar mund t’i kthehen fjalës time në po këtë faqe, në ditën kur u mbajt mbledhja e zgjeruar mujore e grupit faktikisht, të enjten e shkuar.
Në ndërkohë po aty, unë ndava me deputetet dhe deputetët edhe planin e ndryshimeve në qeveri, të cilat janë ndryshime që shkojnë në atë që unë e kam konsideruar si një qasje e re në këtë aspekt dhe për të cilën kam folur, qysh në fjalën e drejtuar Asamblesë Kombëtare në krye të punëve të këtij mandati, duke bërë edhe krahasimin, mes ndryshimeve në një skuadër futbolli me ato në një skuadër basketbolli.
Kështu që, në këtë aspekt ndryshimet ishin të parapara, por natyrisht që nëse rrethanat do të kishin qenë të ndryshme, nuk do të kishte ndryshuar për rezultatet e jashtëzakonshme në punë, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë që aktualisht në bazë të mbledhjes së zgjeruar të grupit dhe të planit të ri të kompozimit të qeverisë, është ish Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë. Por gjithsesi për këtë temë, fola pak në mbledhjen e grupit dhe rezervova dhe më mbetet e rezervuar e drejta që të flas në mënyrë më shterruese, pasi të kem lexuar edhe raportin e Këshillit të Mandateve.



