Biznesmeni Beqiri i bleu jaht luksoz, thirret në SPAK e “besuara” Xhenila Tamizi

spot_img
Advertisements

Xhenila Tamizi, administratore e kompanisë H O R I Z O N të Ermal Beqirit, e konsideruar nga hetuesit si një nga personat kyç në skemën financiare që lidhet me biznesmenin në arrati, është paraqitur këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë shpjegime mbi një sërë transaksionesh dhe pasurish të dyshuara.

Thirrja e saj vjen në një moment kur hetimet janë fokusuar te rrjedha e parave dhe pronësia reale e disa aseteve luksoze.

Sipas të dhënave të dosjes, në emër të Tamizit rezulton e regjistruar pronësia e një jahti luksoz tip Predator 50 Skyfall, i cili dyshohet se në fakt kontrollohej nga Ermal Beqiri.

Mjeti lundrues është sekuestruar nga SPAK dhe ndodhet i ankoruar në portin e Durrësit, në pritje të përfundimit të verifikimeve financiare dhe procedurave hetimore.

Nga verifikimet rezulton se Tamizi ka qenë e punësuar në shoqërinë “Soft & Solutions” sh.p.k., ku sipas dëshmive të punonjësve ajo merrej me intervistimin dhe trajnimin e stafit. Personat e marrë në pyetje kanë deklaruar se njoftimet për punë i kanë parë online, janë intervistuar dhe trajnuar nga Tamizi dhe më pas janë njoftuar prej saj për fillimin e punës.

Megjithatë, kontratat e punës, sipas dëshmive, nuk janë lidhur me “Soft & Solutions”, por me një tjetër kompani, “EA Solutions”. Hetuesit dyshojnë se kjo shoqëri është krijuar në mënyrë fiktive për të kanalizuar pagesat drejt shtetasit Ergys Agasi, duke ngritur dyshime për një skemë të strukturuar financiare.

Në dosjen hetimore theksohet se nga shpjegimet e punonjësve krijohet bindja se “EA Solutions” nuk ka kryer aktivitet real, ndërsa shërbimet janë realizuar në praktikë nga punonjës të “Soft & Solutions”. Për pasojë, edhe faturimet dhe blerjet e shërbimeve nga kjo shoqëri dyshohet se kanë qenë fiktive, pjesë e një mekanizmi për transferimin e fondeve.

Deklarimet e Xhenila Tamizit pritet të jenë kyçe për të sqaruar rolin e saj në strukturën e dyshuar financiare dhe lidhjet mes kompanive, ndërsa hetimet e SPAK vijojnë për të dokumentuar rrjedhën e plotë të transaksioneve dhe pronësinë reale të pasurive të sekuestruara.

spot_img

Latest articles

Related articles