Një ngjarje tragjike ka tronditur Tiranën, ku një fëmijë 7-vjeçar humbi jetën në zonën e Treshit ndërsa lypte në rrugë. Përplasja ndodhi sapo semafori ndezi jeshil për makinat, fëmija po përpiqej të merrte disa monedha që i kishin rënë në tokë, duke u përplasur fillimisht nga një automjet dhe më pas goditur rëndë nga një tjetër. 55-vjeçari që drejtonte makinën e parë e transportoi të miturin në spital, ndërsa shoferja e mjetit të dytë u largua nga vendi i ngjarjes.
Ky aksident e nxjerr në pah një fenomen shqetësues që po merr përmasa alarmante në Tiranë, fëmijët që lypin në rrugë janë të pambrojtur dhe ekspozohen çdo ditë ndaj rreziqeve të trafikut dhe dhunës urbane. Përveç tragjedisë individuale, situata tregon se qeveria dhe institucionet përgjegjëse kanë dështuar të ndërmarrin masa efektive për mbrojtjen e fëmijëve në rrezik dhe parandalimin e këtij fenomeni social.
Kryeministri Edi Rama dhe administrata e tij duhet të përgjigjen për pasojat e dukshme të neglizhencës së tyre. Mosreagimi ndaj fenomenit të lypjes nuk është vetëm një dështim social, por një dështim që po i kushton jetën fëmijëve. Rasti i Treshit është një alarm për qeverinë, qytetarët kërkojnë politika konkrete për të parandaluar që fëmijë të tjerë të humbasin jetën duke lypur në rrugët e kryeqytetit.



