Lidhjet e 24-vjeçarit që u emërua zv/drejtor i portit të Durrësit me PD-në dhe PS-në

spot_img
Advertisements

Mëngjesin e sotëm media publikoi lajmin se zv/drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës është emëruar 24-vjeçari Rubin Rredhi.

Po kush është i riu, për emërimin e të cilit u rikthye në organogramën e APD-së posti i zv/drejtorit, që ishte hequr në kohën kur porti më i madh në vend drejtohej nga Pirro Vengu.

Emërimi i 24-vjeçarit që mendohet se është bërë kohët e fundit nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku është nga Lushnja dhe ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë me medalje ari.

Nga investigimi që “DurrësLajm” ka bërë rezulton se ajo që të çudit më shumë nuk janë rezultatet e shkëlqyera me të cilat ai ka përfunduar studimet për juridik, apo dhe mosha fare e re për një post kaq të rëndësishëm, por lidhjet nga të dy krahët e politikës, që familja e tij duket se ka krijuar.

Rubin Agim Rredhi është djali i ish kryetarit të komunës Remas nën siglën e PD-së. njëkohësisht ai është vëllai i Elizabeta Agim Rredhit, kandidates për deputete të Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2021.

Emërimi i Rubinit në postin e zv/drejtorit vjen nga zv/kryeministrja dhe ministrja socialiste aq shumë e debatuar muajt e fundit, Belinda Balluku, që në fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar mbante as më pak e as më shumë, por postin e Drejtueses Politike të qarkut Fier.

E pikërisht në këtë qark, pjesë e së cilit është edhe Lushnja, Balluku arriti një fitore historike për të majtën, duke marrë 12 mandate.

Vetëm disa muaj më pas, Balluku emëron në postin e zv/drejtorit të APD-së vëllain e Elizabeta Rredhit, e cila kohë më parë ishte kryetarja e degës së PD-së në Divjakë dhe gruaja më e votuar në qarkun e Fierit në Primaret e PD-së për zgjedhjet e 11 majit me 492 vota dhe e treta në të gjithë vendin.

Por pavarësisht votave të marra, ajo vendosi të tërhiqej nga gara për zgjedhjet e 11 majit, sepse nuk u përfshi në listën e mbyllur të Qarkut të Fierit. Në atë kohë Rredhi deklaroi se kur dha dorëheqjen nga posti i kryetares së degës, kishte rënë dakord me Berishën për t’u përfshirë në listën e mbyllur.

Sot, biri dhe vëllai i demokratëve nga Lushnja merr një post të rëndësishëm në një institucion mjaft të rëndësishëm të qytetit bregdetar, duke nxjerrë jashtë loje të gjithë burimet njerëzore të PS Durrës, të cilët, pavarësisht se portin e kanë në qytetin e tyre, janë lanë jashtë organigramës së drejtuesve të APD-së, që varësinë direkte prej vitesh e ka pasur pikërisht nga ministrja Balluku.

Për PS-në e Durrësit, në këtë rast, shkon fiks vargu ANËS DETIT I PALARË nga poezia e famshme e Fan Nolit “Anës lumenjve”.

Ndërsa përsa i përket PS në përgjithësi, rasti i emërimit të Dashnor Sulës si kryeinspektor i përgjithshëm nga ana e kryeministrit Edi Rama, apo ky i Rubin Rredhit në portin më të madh në vend dëshmon se pavarësisht “betejave” politike bashkëpunimi mes të majtës e të djathtës ka arritur në një tjetër nivel…

M.B.

spot_img

Latest articles

Related articles