Prapaskenat| Ndaj Ali Khameneit u tentua një grusht shteti në janar

spot_img
Advertisements

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, dyshohet se ka qenë objekt i një tentative për grusht brenda vetë strukturave të pushtetit, pak para shpërthimit të goditjes së ashpër ndaj protestave në netët e 8 dhe 9 janarit, kur trazirat në vend arritën kulmin.

Sipas burimeve iraniane të intervistuara nga e përditshmja franceze Le Figaro, përpjekja u zhvillua mbrëmjen e 7 janarit dhe u drejtua nga ish-presidenti Hassan Rouhani, në bashkëpunim me figura nga qeveria e tij e mëparshme, përfshirë ish-ministrin e Jashtëm, Mohammad Javad Zarif, si edhe klerikë nga rajoni Qom dhe persona të afërt me Gardën Revolucionare (IRGC).

Një burim i cituar nga gazeta ka deklaruar se qëllimi i iniciativës ishte largimi i Khameneit nga procesi i vendimmarrjes gjatë krizës së protestave. Megjithatë, tentativa dështoi pasi nuk mori mbështetjen e Ali Larijani, i cili ishte emëruar në gusht si Sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, sipas raportimit të “Le Figaro”.

Raporti shton se presidenti Masoud Pezeshkian nuk ishte vënë në dijeni të planit, për të shmangur ekspozimin e tij. Pas zbulimit të tentativës, Rouhani dhe Zarif thuhet se u vendosën në arrest shtëpie për disa ditë, ndërsa figura reformiste pranë tyre u ndaluan përkohësisht.

Informacioni vjen në një kohë kur zyrtarë iranianë kanë konfirmuar për The New York Times se Larijani ishte ngarkuar më shumë se një muaj më parë me drejtimin e vendit në rast se Khameneit do t’i ndodhte diçka.

Që prej asaj kohe, sipas raportimeve, 67-vjeçari Larijani ka marrë një rol qendror në menaxhimin e çështjeve shtetërore.

Autoritetet iraniane nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me këto pretendime.

spot_img

Latest articles

Related articles