Ministri i Sigurisë së Meksikës, Omar García Harfuch, njoftoi se 25 efektivë të Gardës Kombëtare dhe një roje sigurie kanë humbur jetën në sulmet e ndërmarra nga kartelet pas kapjes dhe vdekjes së bosit të njohur të krimit, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”.
Oseguera konsiderohej personi më i kërkuar në Meksikë dhe ishte drejtuesi i Jalisco Neë Generation Cartel (CJNG), një nga organizatat kriminale më të fuqishme në vend. Sipas Ministrisë meksikane të Mbrojtjes, ai ndërroi jetë në paraburgim pasi u plagos gjatë një operacioni të forcave speciale në Tapalpa, në shtetin Jalisco.
Ministri i Mbrojtjes, Ricardo Trevilla, deklaroi se informacioni që çoi në lokalizimin dhe kapjen e tij u sigurua nga e dashura e Osegueras. Shtetet e Bashkuara kishin ofruar një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për të dhëna që do të mundësonin arrestimin e tij.
Vdekja e “El Mencho”-s u pasua nga një valë dhune në disa zona të vendit. Anëtarë të kartelit bllokuan rrugë, dogjën automjete dhe ndërmorën sulme hakmarrëse. Sipas Harfuch, vetëm në Jalisco u regjistruan 27 sulme të koordinuara kundër autoriteteve. Nga përleshjet mbetën të vrarë edhe 30 operativë të kartelit si dhe një kalimtar i rastit, ndërsa të paktën 70 persona u arrestuan në shtatë shtete të ndryshme.
Autoritetet meksikane kanë bërë të ditur se po monitorojnë çdo reagim të mundshëm apo riorganizim brenda strukturave të CJNG-së që mund të prodhojë përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës.
Nga ana e tij, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u shpreh në rrjetet sociale se Meksika duhet të intensifikojë përpjekjet në luftën kundër karteleve të drogës, shkruan Reuters.



