Rrugët e Turpit të Edi Ramës! – ANALIZA

spot_img
Advertisements

nga Ermal Peçi

Ajo që po ndodh sot me infrastrukturën nuk është më çështje teknike, por politike dhe morale. Nga “rrugët e lëna rrugëve” që përdorte Edi Rama kur ishte në opozitë për të sulmuar Partinë Demokratike, kemi ardhur tek një realitet shumë më i rëndë: rrugë që ndërtohen shtrenjtë, zgjasin pak dhe riparohen pafund, pra me pak fjalë tek “rrugët e turpit”

Kur një rrugë prishet pas gjashtë muajsh, kur tunelet pikojnë ujë sa herë bie shi, kur segmentet bllokohen për shkak të “arsyeve gjeologjike” që duhej të ishin parashikuar në projekt, problemi nuk është më natyra, problemi është korrupsioni.

Korrupsioni nuk është vetëm zarfi nën tavolinë. Është: tenderi i paracaktuar, gara fiktive, oferta më e shtrenjtë që fiton,kontrolli teknik që mbyll sytë, shtesa fondesh pa fund për “punime shtesë”, e sa e sa të tjera mekanizma që krijojnë këtë panoramë të shëmtuar.

Juglindja e bllokuar nuk është aksident. Është pasojë e një kulture ku projekti bëhet për faturën, jo për cilësinë. Kur studimet gjeologjike bëhen formalisht, kur normat e riskut shpërfillen për të kursyer kosto reale dhe për të rritur fitim të paligjshëm, rezultati është ky që po shohim: rrugë që çahen, asfalt që zhduket dhe qytetarë që paguajnë dy herë, një herë me taksa, një herë me kohë dhe stres.

Kur Edi Rama thotë se problemi është “gjeologjik”, kjo tingëllon më shumë si përpjekje për të zhvendosur fajin sesa për ta pranuar atë. Një rrugë studiohet përpara se të ndërtohet dhe jo anasjelltas. Terreni nuk ndryshon brenda natës, as brenda ditës por standardi bie kur prioritet bëhet fitimi dhe jo siguria.
Në thelb, ajo që quhet “arsye natyrore” është thjesht mbulesë për një problem shumë më njerëzor që e ka emrin korrupsion.

Të hysh apo të dalësh nga Tirana është bërë torturë. Nga Rinasit drejt qytetit kërkohen mbi 90 minuta në kushte normale. Investime që duhej të ishin krenari kombëtare, sot janë shembuj të një modeli ku propaganda është më e fortë se betoni e asfalti.

Korrupsioni në infrastrukturë është i rrezikshmi, sepse nuk vjedh vetëm para, vjedh kohë, zhvillim, besim dhe dinjitet, e prandaj këto quhen rrugët e turpit. Kur rrugët fillojnë të prishen kaq shpejt, nuk është thjesht dështim teknik. Është prova që diku, në zinxhirin e vendimmarrjes, interesi publik është zëvendësuar me interesin privat.

Siç thoshte Honoré de Balzac:
“Pas çdo pasurie të madhe fshihet një krim.” Kur pasuria rritet në zyrat e pushtetit ndërsa asfalti çahet në terren, atëherë krimi nuk është më metaforë është model.

Mund të ndërtohen kilometra në letra, mund të shpallen rekorde investimesh, mund të mbushen ekranet me grafika e shifra. Por nëse nën atë asfalt fshihet korrupsioni, ai do të dalë në sipërfaqe, si plasaritje, si përmbytje, si bllokim.
Në fund asfalti dhe betoni mund të mbulojë dheun, por nuk mbulon dot kurrë të vërtetën për korrupsionin e kësaj qeverie.

spot_img

Latest articles

Related articles