Kryeministri Edi Rama, ka reaguar pas shembjes së rrugës Librazhd-Prrenjas, e cila është bllokuar që prej së shtunës dhe për lajmet se ai do të udhëtojë sot drejt Korçës me helikopterë.
Në një postim në “X”, Rama shprehet se udhëtimi i tij me helikopter drejt Korçës ishte planifikuar kohë më parë, pasi siç thotë ai, do të shoqëroj një grip investitorësh, madje edhe drejt Vlorës.
“Nga Korça edhe në Vlorë, për të shoqëruar një grup investitorësh me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë, e për t’iu prezantuar hapësirat e Polit të Dijes në Korçë dhe të kompleksit të ri në Vlorë, si dy destinacione me potencial për të mikpritur universitete të mirënjohura ndërkombëtare! Ata vijnë nga Rinasi në Korçë e pastaj në Vlorë me helikopterin e tyre, ndërsa ne do të përdorim helikopterin e Forcave të Armatosura, i cili me ne ose pa ne, kryen çdo muaj orët e veta të domosdoshme të fluturimit, e në këtë rast i shërben edhe një pune të mirë”, thotë Rama.
Sa i përket shembjes së rrugës, e cila është bllokuar që prej datës 21 shkurt, Rama thotë se shembje dherash ndodhin edhe në Itali, duke ia atribuuar dëmtimin e këtij aksi rrëshqitjeve gjeologjike.



