Nga Sukthi, ku zhvilloi foltoren e rradhës me demokratët, kreu i PD-së, Sali Berisha denonoi lidhjet e Qeverisë me ato që i konsideroi si trafikantë, që kanë marrë në kontrolle portet.
Berisha tha se portin e peshkatarëve e ka marrë trafikanti Gjergj Luca, ndërsa atë të Durrësit e kontrollojnë Troplinët.
Teksa akuzoi Edi Ramën për vjedhjen e pakufishme të pasurive publike, Berisha tha se vetëm porti i Durrësit, ka një vlerë prej rreth 4 miliardë euro me truall dhe të gjitha.
Berisha tha se portet me rradhë po u jepen trafikantëve, duke shtuar se kjo është një nga arsyet që shqiptarët po braktisin vendin, pasi qeveria nuk punon për to, por për trafikantët.
Sipas kreut demokrat, Rama në qeverisjen e vendit ka vjedhur çdo taksë që paguajnë shqiptarët, duke theksuar se kjo qeveri ka vjedhur në mënyrën më të papërmbajtur dhe më të pakufishme pasuritë e qytetarëve.
“Ç’po ndodh me portin e Durrësit? Portin e Durrësit si port, prej 5 vitesh e kanë Troplinët.
Portin e peshkatarëve, që e ndërtuam me taksat tuaja, e mori Luca, një trafikant që ndiqej nga 5 shtete për trafik.
Bashkë me një Dorian Beu a si quhet. E ndërton shteti, u jepet trafikantëve. Merreni tani edhe portin e peshkimit, portet me radhë.
6 milionë metër katrorë bajlozëve të drogës. Investimet, 90 deri në 100 përqind e investimeve zhduken dhe nuk kryhen. Kjo do të thotë se vendi shkatërrohet.
Kjo do të thotë se ato para të përcaktuara për investime, nuk prodhojnë punësim, ato përfundojnë në kontot e qeveritarëve. Përfytyroni për një moment, ku është djegësi i Tiranës? Asnjë tullë nuk ekziston aty. 130 milionë euro keni dhënë ju për të.
Po nuk është vetëm djegësi, janë kështu të gjitha investimet, të cilat janë vjedhur në masën 90 gjer 100 përqind. Janë vjedhur edhe ato punime që janë bërë. Ju e shihni sikur janë rrugë kartoni, sikur janë mure kartoni. Bien të gjitha, rrugët shemben”, tha Berisha.



